Duam apo nuk duam ne, nganjëherë jemi të detyruar ta besojmë ish Ministrin e Drejtësisë përfaqëues të përhershëm të LSI, Ylli Manjani.
I cili në inat e sipër nxjerr disa të vërteta që kanë qarkulluar në ambientin mediatik, publik dhe politik edhe më parë, por që tashmë marrin një “verdikt” zyrtar.
Manjani i bën këto deklarata të forta dhe të papritura, aq sa shpesh mund të themi se duhet ngacmuar, irrituar apo frikësuar që ish ministri i Drejtësisë së LSI të hapë “thesin”.
Mbrëmë Ylli Manjani, ka thënë një të vërtetë të frikshme, pikërisht atë që “Pamfleti” kishte shkruajtur shumë kohë më parë, por që asnjë media nuk e përcolli lajmin, apo ta zgjeronte dhe ta pasqyronte për publikun: Që Berisha, Meta dhe politikanë të tjerë kanë llogari bankare miliardëshe në bankat e huaja.
Shumë e akuzuan “Pamfletin” për këtë lajm, por gjithnjë e vërteta del në shesh dhe është ish ministri i Drejtësisë i LSI Ylli Manjani ai që ka “ratifikuar” lajmin tonë të dhënë para shumë kohësh.
Më konkretisht, ish ministri i Drejtësisë i LSI Ylli Manjani thotë në “Opinion” se Ambasada Amerikane në Tiranë shantazhoi deputetët shqiptarë me mesazhin dërguar çdo njërit prej tyre për të votuar reformën në drejtësi në korrik të vitit 2016.
“Kush nuk voton reformën përballet me pasoja”, thuhej në një pjesë të SMS që i shkoi në telefon çdo deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, dërguar nga Ambasada e SHBA në vitin 2016.
Por Manjani tha se pjesa që aty s’thuhej por përbënte shantazhin, ishte kërcënimi që Ambasada Amerikane i bëri deputetëve duke u thënë se “do iu nxjerr numrat e llogarive bankare të pasurive që kanë jashtë shtetit”.
Ish ministrti i Drejtësisë nuk vijoi më tej, pasi e ndërpreu drejtuesi i emisionit dhe disa të ftuar, duke ia kujtuar se ishin mbledhur për temë tjetër që ishte biznesi në politikë, pavarësisht se Manjani pikërisht për këtë gjë po fliste.
Ndërhyrja e shpejtë e drejtuesit të emisionit për të devijuar rrëfimin e “rrezikshëm” të ish ministrit të Drejtësisë së LSI tentonte të shmangte sidomos informacionin e mëtejshëm, jashtë qëllimit të emisionit për goditjen e biznesmenëve të mazhorancës apo oligarkëvë në Kuvend siç cilësohen rëndom.
Por e vërteta e kulluar është se me këtë deklaratë në dukje pa shumë pretendime, Manjani ka nxjerrë “zbuluar” PD dhe LSI.
Etiketojmë këto dy parti dhe përfaqësuesit e tyre pasi, të dyja këto parti në korrik të vitit 2016, PD në opozitë ndërsa LSI e Ilir Metës në koalicion qeverisës me Ramën por që e kërcënonte me rrëzim qeverie aq sa Rama u detyrua të marrë masa për të pasur 71 vota dhe pa LSI, ishin shpallur publikisht publikisht kundër Reformes në Drejtësi.
Këtë e kanë deklaruar dhe ambasadorët më të fuqishëm në në Shqipëri, Donald Lu i SHBA dhe Romana Vlahutin e BE dhe këtë e kanë vertetuar me deklaratat dhe veprimet e tyre lidershipi i PD e LSI, aq sa detyruan ambadorin e SHBA që të ndërhynte pa dorashka.
Kështu që referuar deklarates se Manjanit se kërcënimi i Donald Lu, ambasadori i SHBA në Tiranë se do të nxirrte numrat e llogarive bankare të pasurive që kanë jashtë shtetit, ka qenë pikërisht për deputetët e PD dhe LSI, të cilët ishin shprehur kundër votimit të reformës në drejtësi.
Me argumentin se është një shkelje e të drejtave të njeriut, kundërshtime që vijuan më vonë në të gjitha etapat e zbatimit të saj, bashkë me vettingun. Duke e zvarritur reformën në pafundësi.
Themi se kërcënimi i Donald Lu ishte për deputetët e opozitës së sotme, pasi deputetet e PS dhe Edi Rama ishin deklaruar publiklisht, pa asnjë kusht për votë pro ndaj Reformës në Drejtësi.
Të paktën mazhoranca ishte deklaruar publikisht pro, dhe nuk vëmë “dorën në zjarr” çfarë kanë pasur në zemër në atë kohë e cili ka qënë qëndrimi i tyre i brendshëm ndaj reformës në Drejtësi.
Referuar deklaratës së Manjanit, i cili ka konsumuar dhe një takim kokë më kokë me Donald Lu para disa ditësh dhe e ka informacionin e duhur, ambasadori amerikan dhe për pasojë ambasada amerikane, DASH por dhe FBI-ja amerikane i disponojnë numrat e llogarive bankare të pasurive jashtë vendit të përfaqësuesve të opozitës, duke filluar nga Sali Berisha, Ilir Meta, Monika Kryemadhi, deputetë e ish deputetë por edhe të politikanëve të tjerë shqiptarë.
Pyetja e thjeshtë është: Pse nuk bëhen publike që tani në mënyrë që të pastrohet njëherë e mirë drejtësia shqiptare.
Apo Donald Lu dhe ambasada amerikane presin të përfundojë vettingu i drejtësisë, që poseduesit e miliarda eurove dhe dollarëve që nga Berisha, Meta e deri tek më i thjeshti të marrin dënimin e merituar dhe paratë të kthehen në arkën e shtetit shqiptar.
Ne besojmë fort te Amerika, besojmë dhe se do të jetë kështu, pasi në rast të kundër më e pakta mund të thuhet është se po tallen me shqiptarët, dhe më e shumta mund të thuhet është se me ligjet shqiptare ka moskallzim krimi.
Pavarësisht se ligjet shqiptare nuk veprojnë me shtetas të huaj.
Jemi besimplotë se Donald Lu, “gjuetari” i “peshqve të mëdhenj” në Shqipëri do ta mbyllë mandatin me dorëzimin tek organet ligjzbatuese shqiptare të numrave të llogarisë së pasurisë së Berishës, Metës, Kryemadhit, deputetëve, ministrave dhe politikanëve të tjerë.
Ky do ishte një shërbim i jashtëzakonshëm i SHBA për Shqipërinë që ka besim të verbër ndaj këtij aleati të rëndësishëm, që i është gjendur gjithnjë Shqipërisë pranë sa herë ka qënë në udhëkryq.
Dhe tani Shqipëria në këtë situatë udhëkryqi është: I duhet të pastrojë politikën dhe drejtësinë nga njerëzit e krimit dhe abuzuesit me paratë e shqiptarëve, por dhe të rikthejë paratë e vjedhura në arkën e shtetit shqiptar./Pamfleti