Qeveria shqiptare i ka premtuar Brukselit se do të luftojë korrupsionin në nivele të larta dhe do të ngrejë sa më shpejt Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Strukturën e Posaçme Antikorrupsion. Qeveria ka miratuar planin për integrimin europian 2019-2021, ku paraqiten të gjitha angazhimet që do të ndërmerren me qëllim hapjen e negociatave dhe përgatitjen më pas të terrenit për anëtarësim. Brukseli ka vendosur si kusht kryesor reformën në drejtësi, me qëllim dhënien e dritës jeshile në qershor.
Këshilli i BE do të vendosë në fund të qershorit nëse do hapë negociatat dhe ajo ku këmbëngul më shumë Brukseli është lufta ndaj korrupsionit në nivele të larta dhe ngrija me urgjencë e SPAK dhe BKH. Vetë qeveria në dokument angazhohet se do i përmbushë këto kushte.
“Mekanizmat e reja të cilat po krijohen si Struktura e Specializuar kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Zyrës Kombëtare të Hetimeve dhe Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, do luftojnë korrupsionin në kuadër të reformës së drejtësisë.
Kjo vendosje e re institucionale është themeluar në bazë të ligjit nr. 95/2016. Këto institucione janë të përkushtuara në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe kanë kompetenca të mirë vendosura, ku kompetencat e tyre ekskluzive do të sjellin specializimin e lartë të zyrtarëve të tyre duke rezultuar në një luftë më efektive kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet në dokument.
Po ashtu deklarohet se një vëmendje e madhe do i kushtohet goditjes se korrupsionit në gjyqësor. Qeveria angazhohet që ta bëjë këtë edhe pa u ngritur SPAK e BKH. “Kapaciteti për hetimin proaktiv në rastet e korrupsionit dhe krimit të zyrtarëve është përmirësuar, ndërsa fokusi kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë në sistemin gjyqësor do të vazhdojë të mbetet prioritet gjatë vitit 2019, deri në themelimin e Byrosë Kombëtare të Hetimeve”, thuhet aty.
Më tej bëhet e ditur se qëllimi kryesor i reformës në drejtësi do të jetë që të luftojë korrupsionin në të gjithë nivelet, përfshirë dhe atë politik. “Si hap i parë, reforma po lufton korrupsionin brenda gjyqësorit me procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Ky proces do të sigurojë që sistemi gjyqësor shqiptar të funksionojë në mënyrë të pavarur nga zyrtarët e korruptuar dhe do të jetë një instrument në parandalimin dhe ndëshkimin e korrupsionit të nëpunësve të administratës publike dhe zyrtarëve të lartë politikë”, thekson raporti.
Ngritja e SPAK dhe BKH
Në raport i është kushtuar një rëndësi e madhe dhe ngritjes së organeve të luftës kundër korrupsionit. “Më 11.12.2018 u mbajt Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve e cila zgjodhi 6 prokurorët, anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ky këshill mbajti takimin e pare (konstituiv) më 19 dhjetor 2018, gjatë të cilit u zgjodh Kryetari dhe Zëvendëskryetari i Këshillit.
Në cilësinë e autoritetit kompetent për emërimin e prokurorëve të Prokurorisë Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe në bazë të nenit 179/8 të Kushtetutës, nenit 7 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar” (në vijim ligji për SPAK) dhe nenet 48/2 dhe 3 të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, Këshilli i Lartë I Prokurorisë ka njoftuar fillimin e procedurave për mbushjen e 15 vendeve të lira në Prokurorinë Speciale kundër Korrupsionit dhe
Krimit të Organizuar”, thuhet aty. Po ashtu deklarohet se qeveria do japë mbështetje në çdo kohë për organet e reja me qëllim që ato të funksionojnë pa probleme. /Kliti Topalli