Kunati, kunati… po vëllezërit bëjnë kërdinë! E mbani mend kompaninë e famshme “EAG Communication”, e themeluar në janar të vitit 2014, e cila arriti brenda vitit të siguroj nga thesari i shtetit 543 milion lekë?
Nëse nuk e mbani mend ju a kujtojmë ne! Në atë kohë, plasi një debat i madh, një kompani “fantazëm”, sepse si e tillë edhe u zhduk më pas, arriti të siguroj një shumë të padëgjuar ndonjëherë, plot 394 milion lekë vetëm gjatë muajit tetor të vitit 2014, nga Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve, e drejtuar asaj kohe nga Mirela Kumbaro.
Edhe pse kompania nuk plotësonte asnjë nga kriteret teknike për të fituar prokurimin, shuma e dhënë nga kontraktimi i qeverisë, korrespondon me shërbimet e ofruara gjatë vizitës historike të Papa Françeskut në Tiranë.
Sigurisht, duke parë grykësinë me të cilat paratë e taksapaguesve shqiptarë ju dorëzuan një kompanie të sapo krijuar dhe që nuk plotësonte asnjë kriterë, nisën dhe dyshimet e para se kompania nga prapa kishte një pushtetarë të fuqishëm.
Një nga gjurmët që u ndoqën atëherë nga mediat, ishte gafa e rëndë e kompanisë “EAG-Communication” me vendosjen e adresës së saj, e cila korrispondonte kryekëput me kompaninë “Gogel” të Arbi Veliajt, vëllait të kryebashkiakut Erion Veliaj.
Pra fituesi i tenderit 394 milion lekë, ishte në adresën e vëllait të kryebashkiakut të Tiranës, pra: “Rruga Ibrahim Rugova, pallati përbri Plus, AP 3/5 Tiranë.”
Dokumenti nga QKB për kompaninë “EAG Comunnication”
Dokumenti nga QKB për kompaninë “Gogël”
Në atë kohë PD denonconte skandalin, se si një kompani fantazëm arriti të marrë nga Thesari i Shtetit plot 394 milion lekë.
“Qytetarët shqiptarë ose të “vobektit”, siç i quan ministri, duhet të kuptojnë mirë, se sa qesharake është kur Erion Veliaj flet për të varfërit, teksa me një firmë përvetëson 394 milionë lekë të taksapaguesve shqiptarë. Dhe qytetarët e kuptojnë mirë se sa qesharake është kur Edi Rama, flet për drejtësi e shtet ligjor, kur në shkelje të çdo procedure i jep Ministrit të tij, 394 milionë lekë të taksapaguesve”, deklaronte PD në atë kohë përmes një përfaqësuesit të saj.
Por sot, pas më shumë se 6 vitesh, Ekskluzive.al pas një investigimi për aferat korruptive të qeverisë nëpërmjet kompanive fantazma, i rezulton se kompania e famshme, e cila vetëm për një muaj arriti ti grabis 394 milion lekë të taksapaguesve shqiptar… nuk ekziston më. Pas një kontrolli në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompania “EAG Communication” nuk del gjëkundi.
Si ka mundësi, që një kompani e cila arrin të marrë më shumë se 570 milion lekë për dy vite nga Thesari i Shtetit, të zhduket më pas në mënyrë krejt misterioze? Nuk e besojmë dot, se një kompani me këtë tirazh fitimi do të falimentonte kollaj të paktën për disa vite.
Nëse s’ka falimentuar, cila është arsyeja e zhdukjes së saj? Nuk e besojmë dot, që një kompani, e cila arriti të siguroj vetëm për vitin 2014, 543 milion lekë pa plotësuar asnjë kriter teknik, të mos garantojë vazhdimësinë e saj në treg.
Si për të mos rënë në sy, “EAG Communication” e vazhdoj aktivitetin e saj edhe për vitin 2015, ku arriti të siguroj vetëm 27 milion lekë nga shteti, por duke mos arritur të marrë më asnjë projekt të rëndësishëm si ai i vizitës së Papa Françeskut në Tiranë. Nga lëvizjet e kompanisë, duket sikur “EAG Communication” u krijua vetëm për organizimin e pritjes së Atit të Shenjtë në Tiranë.
Kjo është tamam sikur të kapësh me doping një sportist, i cili 1 javë më parë ka siguruar një medalje ari në olimpiadë, edhe vitin tjetër prej turpit ai mos të konkurrojë më. Por a di të përgjigjet dikush, se ku shkuan 570 milion lekë të taksapaguesve shqiptarë?/Ekskluzive.al
Rezultatet e kërkimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit për kompaninë “EAG Communication”