Muli gjeti mundësinë sot të ngjitej në papafingon e familjes së Doktorit, ku ai kalon ditën me dhëndrin e vet dhe bëhen gati për t’iu përgjigjur pyetjeve të SPAK.
Muli i gjeti të dy me dosje të hapura duke u përgatitur për çështjen.
-E morët vesh, tha Muli? Nesër shkon Abi, pasnesër ti Doktor.
-Po po, na njoftuan, tha Doktori. Do t’iu përgjigjemi siç e meritojnë. Do marrin përgjigjen që meritojnë.
-Duhet të bëjmë ca prova, tha Muli. T’iu dalin pak emocionet.
Se unë kam qenë ministër i Brendshëm dhe mund të bëj rolin e prokurorit.
-Po mire, tha Abi, ta provojmë.
-Ta fillojmë bashkë, tha Muli.
-Po.
-I pandehur, ju lutem më thoni gjeneralitet tuaja….
Emri, mbiemri, emri i nënës, emri i babait…
Abi filloi t’i thotë.
Tek emri i babait pa fshehurazi nga Doktori dhe pëshpëriti emrin e babait të tij, që të mos e dëgjonte Doktori.
Pastaj qeshi pak.
-Se kam frikë se do them emrin e Doktorit, tha, se këtë kam si babë.
-Jo, duhet korrektësi, tha Muli. Ne s’kemi pse gënjejmë për këto gjëra kaq të rëndësishme.
Pastaj ju drejtua Doktorit.
-Ja pak a shumë dhe ty këto pyetje do të bëjnë në fillim.
Besoj se nuk e ke problem, tha Muli.
-Jo, nuk e kam.
Tani pyetjet e tjera do të jenë të tipit.
-I pandehur, fol për veprimtarinë tënde kriminale lidhur me përvetësimin e pronave të Klubit Partizani.
Dhe ti do ti përgjigjesh, ashtu siç e meritojnë.
-Po, patjetër, tha Doktori.
-E përfytyroj atë skenën, do jetë shumë e sikletshme për prokurorin, tha Muli, kur të fillosh të flasësh ti.
S’di si do mbajë shënime ai, tha Muli. Si do t’i bëjë dora.
-Ata janë kriminelë, tha Doktori. Jo vetëm që shkruajnë, por shtojnë dhe gjëra nga mendja e tyre.
-Nga mendja e tyre, tha Muli i habitur?
Po si ka mundësi që u punon mendja para teje, çudi e madhe!