Tomas Strakosha e ka ndjekur këtë sezon nga stoli, duke mos pasur mjaftueshëm minuta në Premier League. David Raya po kalon një sezon mjaft pozitiv në portën e Brentfordit, çka i ka zbehur ndjeshëm mundësitë e portierit shqiptar për një fanellë titullari. Por fundi i sezonit pritet të vijë me lajme të mira për gardianin e Kombëtares kuqezi.
Mediat angleze raportojnë se dy klube të mëdha në Premier League, si Manchester United-i dhe Chelsea, kanë nisur kontaktet me Raya-n. Mësohet se dy klubet në fjalë e shohin portierin spanjoll si njeriun e duhur për të mbrojtur katërkëndëshin e tyre dhe kanë nisur negociatat për të bërë të mundur marrëveshjen.
Raya është me valixhe në duar dhe kjo situatë i shkon për shtat Tomas Strakoshës. Me largimin e Raya-s, portieri shqiptar do të ketë shansin e artë për të përmbushur ëndrrën e madhe, të lërë gjurmë në Premier League, pasi vendi mes shtyllave të Brentfordit do të jetë i tij.