Kandidati për kreu e Partisë Demokratike, Agron Shehaj gjatë vizitës në Vlorë tha se nëse Basha vazhdon të jetë kryetari i PD-së do të ishte një vetëvrasje.
Takimin e parë Shehaj e ka zhvilluar në bashkinë Selenicë me elektoratin e tij, ku pjesëmarrja ka qenë e lartë në numër. Ndërkohë që takimi i dytë është mbajtur në ambientet e teatrit Petro Marko ku pjesëmarrja ka qenë gjithashtu e shumtë, edhe pse ra ne sy mungesa e deputetëve të zgjedhur në qarkun e Vlorës si dhe kryetarit të PD, Genc Deromema. Kjo gjë u diskutua edhe në sallë.
Shehaj me ironi tha se duhet që ata të pyeten se pse munguan. Shehaj më tej u shpreh se Basha duhet të jepte dorëheqjen si në një vend evropian pas një humbje duhet të vijë një dorëheqje.
“Nëse duam të fitojmë zgjedhjet duhet të ndryshojmë lidershipin e PD. Do ishte një vetëvrasje nëse ngulim këmbë me këtë lidership dhe këtë mënyrë të drejtorit të opozitës. Kjo është arsyeja pse unë kam shpallur kandidaturën .” tha Shehaj.
Më tej ai u shpreh se ka ardhur koha që të ndryshohet kryetari nëse duan të rrëzojnë Edi Ramën.