Cristiano Ronaldo nuk do të jetë shumë i papunë, pas ndarjes nga Manchester United. I angazhuar në Botërorin e Katarit me Portugalinë e tij, e cila pret të sfidojë Zvicrën në 1/8 finale, pesë herë fituesi i Kupës së Botës ka vendosur të pranojë ofertën monstruoze të Al-Nassr, skuadrës nga Arabia Saudite.
Paga faraonike – Për këtë janë bindur në Spanjë, ku “Marca” konfirmon marrëveshjen me klubin arabo-saudit, skuadra e të cilit drejtohet nga ish-trajneri i Romës, Rudi Garcia. “Nga 1 janari, Cristiano Ronaldo do të jetë lojtar i Al-Nassr, – lexohet në edicionin online të së përditshmes sportive madrilene.
– Kohëzgjatja e kontratës do të jetë dy vite e gjysmë”. Sulmuesi portugez 37-vjeçar do të marrë një pagë faraonike, sipas “Marca”: “Me bonuset që lidhen me sponsorizimet, ai do të marrë rreth 200 milionë euro në sezon dhe do të jetë kësisoji sportisti më i paguar në botë”.
Messi dhe Neymar te PSG janë më të paguarit e momentit në futbollin botëror, por 75 dhe 70 milionët e tyre në sezon janë shumë larg asaj që do të marrë Cristiano Ronaldo në Arabinë Saudite. Edhe duke rishikuar listën e më të paguarve në SHBA, përfshirë basketbollistët e NBA, të gjithë mbeten shumë larg parave të premtuara për portugezin.
Te Al-Nassr, ai do të takohet me francezin Rudi García si trajner dhe do të ketë për shok skuadre kantabianin Álvaro González. Qendërmbrojtësi kaloi në futbollin saudit verën e kaluar, pasi përfundoi kontratën në Francë. Bie në sy edhe prania e Ospinës. Portieri kolumbian përfundoi kontratën me Napolin dhe vendosi të pranonte propozimin saudit.
Hapi prapa që ai po bën në sport është i dukshëm, por pak nga pak vitet mbi supe po e spostojnë në një nivel tjetër konkurrues. Madje ai po merr kritika në Portugali për paraqitjen e tij gjatë Botërorit, diçka e paimagjinueshme muaj më parë.