Nga Ardit Rada
Ilir Meta e ka pasur gjithmonë këtë cilësi: ka thënë gjërat më të rënda me qetësinë më të madhe. Edhe kësaj rradhe, para komisionit hetimor parlamentar, ai ka përsëritur faktin se ka pasur informacione nga agjensitë e specializuara, se do të digjej Kuvendi i Shqipërisë. Padyshim një informacion shumë i rëndë, pasi bëhet fjalë për institucionin më të lartë të vendit.
E megjithatë, kjo i ka mjaftuar presidentit të shtyjë zgjedhjet, por jo të ndjekë deri në fund në rrugë ligjore këtë skenar kaq të zi dhe me pasoja për vendin. E kjo ndodh sepse vetë Ilir Meta ka një ide shumë specifike dhe të habitshme për atë që konsideron urgjente dhe të rrezikshme. Shtyu zgjedhjet se do i vihej zjarri parlamentit, por nuk na thotë se cilët donin ta digjnin. Dekretoi 13 tetorin me kokën e vet, pasi do digjej Shqipëria, por nuk na jep asnjë “identikit” të zjarrvënësve.
Presidenti ka shkelur hapur dhe në mënyrë flagrante ligjin. Sapo e pranoi sot para gjithë shqiptarëve. E vetmja alibi e tij ishte alibia e çdo shkelësi: e kam bërë, por e kanë bërë dhe të tjerët para meje! Zoti Meta, mjerë kush kapet! Dhe ju u kapët, madje me fjalët tuaja!