Lëvizja Socialiste për Integrim duket se është penduar për djegien e mandateve. Në shkurt të këtij viti, Partia Demokratike dhe partitë e tjera të opozitës dogjën mandatet e deputetëve, në shenjë revolte ndaj politikave radikale të ndjekura nga mazhoranca qeverisëse.
Ishte kreu i PD, Lulzim Basha, ai që hodhi i pari idenë e djegies së mandateve, menjëherë pasi kishte përfunduar protesta e opozitës para Kryeministrisë, duke mos u konsultuar me aleatët e tij, sikundër ishte Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila e kundërshton këtë veprim.
Megjithatë, pas shumë debatesh që u përfshinë të gjitha partitë e kampit opozitar, u vendos që mandatet të digjeshin. Por duket se djegia e mandateve ka rikthyer sërish përplasjet brenda opozitës. Gazeta ka mësuar se ditët e fundit kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka pasur përplasje me kryedemokratin Lulzim Basha, të cilit i ka kërkuar llogari se përse braktisi aksionin opozitar dhe protestat, në një kohë që edhe djegia e mandateve u bë me qëllimi rrëzimin e qeverisë. Mësohet se Kryemadhi ia ka bërë të qartë Bashës se djegia e mandateve dhe premtimi i tij rezultoi një flluskë sapuni, duke u shprehur se është penduar që ajo dhe partia e saj iu bashkuan vendimit të PD për të përjashtuar veten nga Parlamenti në shkurtin e këtij viti. Në këto kushte, sipas informacioneve, mësohet se kryetarja e LSI ka kërkuar nga lideri demokrat që të rrisë presionet ndaj qeverisë, sikundër është rikthimi i protestave, ndërsa ia ka bërë të qartë se do të vënë në lëvizje institucionet për të rikthyer mandatet e djegura.
LSI nis përgatitjet për t’iu drejtuar Kushtetueses
Interesant është fakti se kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim jo vetëm që është penduar për djegien e mandateve, por është duke pritur bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese me të paktën 6 anëtarëve, në mënyrë që t’i drejtohet për të kërkuar interpretimin e djegies së mandateve nga ana e deputetëve të opozitës. Mësohet se Kryemadhi dhe zyrtarët të lartë të kësaj partie do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar rikthimin e mandatave me justifikimin se Kuvendi shkeli procedurat, kur plotësoi vakancat e lënë për shkak të djegies së mandateve në bllok të deputetëve të LSI. Sipas informacioneve, një nga pikat që Lëvizja Socialiste për Integrim do të mbrojë rikthimin e mandateve është mos thirrja nga ana e Kuvendit në Këshillin e Legjislacionit të të gjithë deputetëve që dogjën mandatet.
Kryemadhi kërkon rikthimin në Parlament
Por edhe pse kjo strategji mund të jetë deri diku si një mision i pamundur, mësohet se kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim është në pritje të Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që të hedhë hapin e radhës. Mësohet se Kryemadhi në kushtet kur është e zhgënjyer nga Basha, kërkon rikthimin në Parlament për të nisur betejën me kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë atje ku e la. Pra, si duket Kryemadhi po e shikon që djegia e mandateve nuk ishte e dobishme dhe në kushtet që partia e saj po rrudhet nga dita në ditë, për shkak se ka humbur edhe terrin në pushtetin vendor, rikthimin në Parlament e sheh si rrugën e vetme për të evituar shkërmoqjen e LSI. Madje, sinjalet se kërkon rikthimin në Parlament, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi i dha edhe gjatë kësaj jave.
Teksa ishte duke folur në një intervistë televizive, Kryemadhi kërkoi ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa shtoi se do mbetet për t’u parë nëse ajo do të shkojë apo në Kuvend. “Të kthehet Gjykata Kushtetuese, shikoni shkoj apo nuk shkoj në Kuvend”, deklaroi ajo. Pra, Kryemadhi paralajmëroi se me ngritjen e Kushtetues do kërkojë rikthimin e mandateve./Rigels Seliman