Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ka folur mbrëmjen e sotme për takimin me turistët spanjollë, të cilët u dhunuan nga pronari i restorantit “Panorma” në Porto Palermo, Mihal Kokëdhima.
Ministri Klosi tha në emisionin “Opinion” se turistët ishin të shokuar nga ngjarja e rëndë, ndërsa kishin marrë edhe lëndime. Sipas tij, kryefamiljari ishte çarë në buzë, kishte kaluar një natë shumë të vështirë.
“I takova që të nesërmen në mëngjes, ishin të shokuar, megjithatë babai ose kryefamiljari ishte më i qartë, ishte më i qetë. Ajo ngjarje ishte aq e rëndë… ata ishin të shokuar nga ngjarja, megjithatë u kthye e gjitha në një moment si të thuash reagimi shoqëror dhe të institucioneve.
Djali kur e takova unë ishte akoma me atë bluzën e grisur, që ia kishte grisur zotëria (Mihal Kokëdhima) dhe familja ishte e shqetësuar, kryefamiljari ishte i dëmtuar në fakt, ishte i çarë në buzë, ishte…pra kishin kaluar një natë shumë të vështirë. Pastaj situata ndodhi ndryshe”, tha Klosi.
Ministri tha se “familja tani dhe zotëria, siç e tha edhe vetë, thotë që ‘unë jam tani një ambasador i Shqipërisë’, për mënyrën si të gjithë reaguan”. Klosi tha se ata ndaluan në atë lokal edhe nga gjithë dita e bukur dhe mikpritja e të gjithë njerëzve. “Edhe ata vetë e pranonin se ishte një moment i paimagjinueshëm i këtij personazhi…”
/Agjensia e Lajmeve Sot News/