Zamira dhe Feruzan Durda, burrë e grua që humbën djalin e tyre 7-vjeçar nga shpërthimi në Gërdec u paraqitën mesditën e sotme në SPAK ku kanë paraqitur dëshmitë e tyre në lidhje me ngjarjen e rëndë në 15 mars 2008, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një fabrikë për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike.
Në një lidhje me studion e lajmeve të MCN Tv, Durda deklaroi se në SPAK u thirrën për t’u njohur me përfundimin e hetimeve.
I kemi dhënë dëshmitë tona që në vitin 2008, edhe para gjykatës, edhe para prokurorit.
Nga SPAK nuk jemi pyetur asnjëherë, se dosja është e mbyllur dhe ne kemi kërkuar rigjykimin me provat që janë në dosje.
Qëndruam në SPAK rreth gjysmë ore, sa bëmë procedurat dhe morëm njoftimin.
Lidhur me akuzat që SPAK ka ngritur ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, Durda tha se nuk është dakord me njoftimin.
Kishin vazhduar me të njëjtat prova që ishin në dosje. Kërkoj të ndryshojë akuza, se është thjesht shpërdorim detyre, por nuk mund të jetë shpërdorim detyre për humbjen e 26 jetëve.
I jam drejtuar SPAK dhe drejtësisë së re, pres prej tyre akuzën e re.
Do e ndjek gjykimin, të shohim deri në dhënien vendimit. Atëherë do shprehem.
Nuk jemi njohur me të gjitha provat, do shprehemi në një moment tjetër, deri sa ti lexojmë se janë mbi 20 faqe.
Përballë faktit se familja e saj është një prej familjeve që ka luftuar më fortë për të vendosur drejtësi duke përmendur emra të rëndësishëm të politikës në Shqipëri, e pyetur nëse ka pasur ndonjë herë frikë për veten apo fëmijët, mohoi prerazi.
Pse duhet të kem frikë, nuk kam vrarë njeri dhe prerë, unë isha në shtëpi. Thjesht erdhën më vranë në shtëpinë time.
Të gjithë si familjarë jemi bashkë, nuk jemi të ndarë. Se është një shoqatë e viktimave dhe burri im është kryetari i saj. Shpresoj te drejtësia e re, shpresa vdes e fundit.
Për sa kohë në krye të SPAK është vendosur Altin Dumani, që ka përfaqësuar Prokurorinë e Tiranës, për 5 vjet në shkallën e parë, besoj e njeh mirë këtë dosje.