Distancimi i Rudina Hajdarit nga themelimi i Bindjes Demokratike të Astrit Patozit, ishte një lëvizje e cilësuar nga shumë si e papritur.Por nëse ajo ka qenë pjesë e nismës për themelimin e Bindjes Demokratike, kush ndikoi në këtë vendim.
Në studion e Top Talk, ishte i ftuar deputeti Myslym Murrizi, i cili bashkë me Hajdarin nuk pranuan të djegin mandatin pas vendimit politik të Partisë Demokratike.
I pyetur nëse ka qenë pikërisht ai që ka ndikuar në ndryshimin e vendimit të Rudina Hajdarit, Murrizi u përgjigj: “Në dijeninë time nuk di që Rudina Hajdari të ketë qenë pjesë e nismës për të themeluar këtë parti politike që sot ka emrin Bindja Demokratike.
Nuk ndikoj tek njeri, përvoja ime në politikë është se nëse më pyet dikush jap mendimin tim: A është mirë apo keq për t’u atashuar në një forcë politike, nëse në shpirt nuk e ndjen se është koha për ndryshim, apo nëse duhet të shkosh në një forcë politike tjetër”, tha Myslym Murrizi.
Gjatë intervistës, Murrizi foli edhe për partinë e re të krijuar nga Patozi, duke shtuar se e priste që të themelohej një parti e re që vinte nga brenda radhët e PD, që nga 2017-a.
“Kam pritur që Patozi dhe të gjithë ish-ët, Bodja, Topalli, të cilët amentamuan listën e marrëveshjen e Bashës në maj të 2017-s. Mund ta kishin krijuar dhe mendoja se do ta krijonin që në atë kohë një parti tjetër”, tha ai.