8 dhjetori është ditë pushimi, për shkak të së ashtuquajturës “Ditë e Rinisë”, në kujtim të 8 dhjetorit ’90, kur i’a behu një rebelim studentor, që më pas do formësonte atë që do të quhet politikisht “Lëvizja e Dhjetorit”, e cila diktoi ndryshimin e regjimit – ra sistemi monopartiak komunist dhe erdhi ai pluralist me bazën tregun e lirë, ose ndryshe demokracinë.
Por si e tillë pra, si “Ditë e Rinisë”, ajo nuk ka ekzistuar fare në kalendar deri në vitin 2009, kur do e shpallte zyrtarisht të tillë qeveria e asaj kohe, pra Berisha.
E gjitha ndodhi në një klimë politike specifike, nën tension, kur qeverisjes i duhet të vinte në lëvizje shumë armë kundër opozitës së atëhershme, PS-së, e cila po kundërshtonte fort rezultatin zgjedhor të qershorit.
Dhe siç është praktikë e Berishës që të përdorë dhe narrativë antikomuniste në momente të caktuara në përplasje me kundërshtarin politik, shfrytëzoi këtë përvjetor për ta frustuar politikisht PS-në. Thjesht e shpalli “Ditë e Rinisë”. Ndodhte, për ironi, përballë një kundërshtari që gjithashtu ishte pjesë e lëvizjes dhjetoriste anti-komuniste.
Deri atëherë, në asnjë vit, PD ose Berisha nuk ishin marrë fare me 8 dhjetorin e 90-ës. Më së shumti i ishin përkushtuar 11 dhjetorit të atij viti, pra tre ditëve më pas, kur u shpall themelimi i PD-së, natyrshëm një përvjetor partiak. /tesheshi.com/