Pas protestës së dhunshme të Rithemelimit dhe Partisë së Lirisë, e cila ka degjeneruar në përdorimin e dhunës ndaj efektivëve të rendit e bashkiakë dhe ndërkohë është hedhur molotov drejt Bashkisë së Tiranës, duke provokuara vatra zjarri, policia ka vënë në hetim 12 protestues.
Adriana Kalaja, e cila merr edhe lejen për protestën në emër të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit është në hetim për veprën “Thirrjet publike për veprime të dhunshme”.
Për veprën penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkatërrimi i pronës” janë vënë Tedi Blushi i PL, Klevis Balliu i Rithemelimit, Besart Xhaferri kreu i FRPD, si edhe Sali Lushaj, ish-bodigardi i Sali Berishës.
Po ashtu, në hetim po për të njëjtat vepra penale janë edhe 7 protestues të tjerë. Protesta para Bashkisë së Tiranës u mbajt më 14 maj dhe sërish nuk munguan episodet e dhunshme.
Drejt godinës dhe policisë u hodhën molotovë dhe tymuese, si edhe përplasja me efektivët për të larguar kordonin e sigurisë. Protestën e radhës Rithemelimi e la të martën e ardhshme më 21 maj, si takimin e radhës ku do të kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.
EMRAT e protestuesve të vënë në hetim
1-Dardan Bardhi, 27 vjeç
2-Rubin Dashi, 19 vjeç
3-Alfred Pllumbi, 46 vjeç,
4-Klodjan Bajrami, 21 vjeç
5-Sali Lushaj, 68 vjeç
6-Sokol Bushkolaj, 48 vjeç
7-Gazmend Sallaku, 53 vjeç
8-Besart Xhaferri, 34 vjeç
9-Eljan Kaja, 22 vjeç
10-Tedi Blushi, 39 vjeç
11-Klevis Balliu, 34 vjeç
12-Adriana Kalaja, 59 vjeçe
Çfarë ka ndodhur?
Kujtojmë se Rithemelimi dhe Partia e Lirisë protestuan sërish këtë të martë para Bashkisë së Tiranës me të njëjtin skenar dhune, pavarësisht thirrjes së policisë për të evituar skenat e dhunës. Në protestën që këtë herë zgjati për më shumë se 3 orë, protestuesit që në nisje (Ora 10:00) hodhën molotovë në drejtim të godinës së bashkisë dhe tymuese drejt forcave të policisë, të cilët krijuan dy – radhë përforcueses për të mos lejuar thyerjen e perimetrit.
As kësaj herë arsenalit të molotovëve, tymuese dhe gurëve nuk i mungoi edhe e gjitha shporta e fruta-perimeve. Të pranishëm ashtu si në çdo protestë ishin përfaqësues të rithemelimit dhe partisë së lirisë të cilët vijuan me po të njëjtën axhendë të fjalimeve. Si në çdo grumbullim tjetër të mbajtur deri më tani para bashkisë, u bashkua edhe vajza e ish-kryeministrit Berisha, Argita Malltezi, me të njëjtën kërkesë për lirimin e babait të saj.
Militantët, një pjesë e të cilëve me fytyra të mbuluara për të mos u identifikuar nga policia, tentuan të thyenin disa herë kordonin e policisë me forcë, ndërsa injoruan gjatë gjithë kohës thirrjet e policisë që të mos goditeshin efektivët dhe të mos hidheshin mjete piroteknike. Protestën e radhës Rithemelimi e la të martën e ardhshme më 21 maj, si takimin e radhës ku do të kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, me protagonist ish rivalin i tij në zgjedhjet vendore të 1 viti më parë, Belind Këlliçi.