Rastet kur mediat ndërkombëtare kanë pasqyruar situata aspak të këndshme të ndodhura në Shqipëri dhe më në veçanti në kryeqytetin, Tiranë, nuk kanë qenë të pakta.
Nga protesta disi më modeste, tek aktet më të dhunshme, kryefaqet e gazetave evropiane apo botërore janë hapur pikërisht me këto ngjarje.
Një situatë e ngjashme ka qenë edhe 24 orë përpara nisjes së finales së UEFA Conference League, e cila do të luhet në Tiranë dhe do të shohë përballë ekipet e Roma dhe Feyenoord.
Veçse këtë herë, nuk ka qenë “faji” i shqiptarëve, që skena dhune e pushtuan kryeqendrën e shqiptarisë dhe u shfaqën në gjithë botën.
Tifozët holandezë kryesisht dhe disi më pak ata italianë, janë përfshirë në çaste aspak normale, me ushtrim dhune kundrejt efektivëve të Policisë dhe qytetarëve të thjeshtë.
Vetëm në orët e vona të natës, janë shoqëruar për në Polici 60 tifozë. Dhjetë policë janë plagosur e po ashtu edhe tifozë të tjerë, të cilët po marrin mjekim.
Shtypi italian ka qenë i pari që ka raportuar situatat antisportive në ngjarjen më sportive të vitit në Shqipëri.
‘Dhunë në gjithë qytetin në prag të finales”, shkruan e përditshmja italiane “La Republicca”. “Roma-Feyenoord, incidente në Tiranë: 60 tifozë ndalen nga Policia”, vijon “Sky News”.
Po ashtu, edhe e përditshmja “La Stampa”, i ka lënë një vend të veçantë lajmeve për Shqipërinë, ku kryelajmi është ai i dhunës në rrugët e Tiranës.
Mediat holandeze e kanë raportuar po ashtu lajmin për dhunën e shkaktuar, por disi më të rezervuar, duke parë se vetë tifozeria e tyre ka qenë shkaktare e episodeve.
“Mbështetësit e Feyenoord përleshen me Policinë në Tiranë”, shkruan Trouw.
Lajmi nuk i ka shpëtuar as mediave të tjera, si ajo franceze “France 24”, e cila pasqyron ngjarjet prej ardhjes së tifozëve deri tek përleshjet.
Media greke Metrosport, gjtihashtu e ka një titull për finalen e Tiranës me përleshje.
Pavarësisht episodeve, klima është e qetë dhe gjithçka pritet është zbritja e lojtarëve në fushën e blertë. Gjithçka më pas, vendoset aty.