Dje emisioni “Stop” denoncoi aferën e noteres Majlinda Lleshi, e cila e kapur me presh në dorë për shkeljet në një testament, fillimisht mbylli në zyrë denoncuesen e më pas goditi fizikisht grupin e xhirimit të “Stop”.
Për këtë dhunë shtazarake ka reaguar ministri i drejtësisë Ulsi Manja dhe Dhoma e Noterëve.
Manja ka urdhëruar fillimin e procedimit disiplinor për noteren Majlinda Lleshi. Po ashtu është urdhëruar që t’i nënshtrohet kontrollit për verifikimin e detyrës që ajo ushtron. Ky urdhër i është komunikuar edhe Dhomës Kombëtare të Noterisë.
Po kështu një deklaratë ka bërë dhe Unioni i Medias me Aleksandër Çipën dhe Armand Shkullaku i Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë.
“Këtu janë disa raste të përsëritura që jo vetëm me gazetarin tuaj, por edhe raste të tera, për të cilat kemi ngritur alarmin me kohë, kjo është dëshmi që tregon sa e vështirë është të bëhet gazetari investigative në Shqipëri.
Kur edhe për raste të tilla që ndodhin ditën për diell, me persona që kanë autoritet po themi shtetëror apo publik siç është rasti i prokurorëve, gjyqtarëve, apo edhe zonja notere, imagjinojeni se sa e vështirë është për gazetarët që hetojnë krimin, bandat kriminale, korrupsionin apo të tjera aktivitete të jashtëligjshme që ndonjëherë shkojnë edhe në rrezik për jetën.
Minimumi që po kërkojmë është që persona të tillë mos kenë më të drejtën të ushtrojnë më funksione të tilla qoftë shtetërore, qoftë dhe publike që frymëzojnë pastaj të tjerë”, tha Shkullaku.
“Imazhet e dhunës të publikuara në emisionin “Stop” janë tronditëse sepse është një dhunë jo vetëm verbale, por drejtpërsëdrejti një cënim i integritetit fizik të reporterit dhe të operatorit të emisionit. Sjellja dhe komunikimi janë të papranueshëm.
Akti në vetvete është një incident i plotë, i pastër, i dënueshëm dhe në këtë këndvështrim mendoj se organizata jonë pret një reagim institucional të organeve ligjzbatuese. Kjo është një çështje që duhet hetuar”, tha Çipa.
Ndërkohë, drejtuesi i emisionit “Stop”, Saimir Kodra tha se noterja me veprimet e asaj është në kushtet e arrestimit në flagrancë.
“Ky rasti këtu nuk ka asgjë më pak se rasti i flagrancës që duhej ndaluar. Albert Dermineli, prokurori që është dezhurn këtë muaj në Tiranë nuk e bëri këtë me justifkimin se nuk e dinte çfarë kishte ndodhur në komisariatin numër 2 që është ndaluar një notere që ka dhunuar gazetarët dhe operatorët.
Sipas letrave dhe sipas strukturës juridike, OPGJ e komisariatit i ka bërë letrat dhe i ka dërguar. I ka parë prokurori dhe i ka thënë “jo, jo se e kam pasur OPGJ. Nuk shoh vepër flagrance këtu. Sot thotë, këtë ai mund ta mohojë, se sigurisht ma ka sjellë të ma thotë nëpërmjet një personi që mendonte që unë isha i njohuri i tij dhe unë i thashë të njëjtën përgjigje siç ja dhashë dje nga ekrani. OK, dje ti nuk e dije që ishte ky rast.
Sot që e pe merre dhe arrestoje dhe leja gjykatës në dorë nëse e lë arrest me burg apo arrest shtëpie. Po përtej këtij kalvari absurd, por reagimi i institucioneve nuk të lë mundësi fare. Në këtë reformën e re të drejtësisë ka një vakum tjetër sipas ekspertëve që sot një prokuror në çdo lloj prokurorie është vetë i zoti. Pra nuk mundet sot një drejtor, t’i thotë si mundet, jo më larg se mbrëmë nuk ndalove këtë person”, tha Kodra./tvklan.al