Propaganda që flet për veting pas vetingu, vetingje që do të përfshijnë atë e këtë plus këtë e atë, po kthehet në përrallë që bën të nënqeshin edhe kalamajtë.
Çapajev Gjokutaj
Vendi ishte vidh të vjedhim. Secili sipas sërës e sipas takatit. Sa më lart të ishe, aq më e madhe prokopia që lumi i korrupsionit ta nxirrte në breg.
Të bëhet veting për politikanët, tha opozita. Le të bëhet veting për politikanët dhe për familjarë e tyre, u përgjigj aty për aty maxhoranca.
S’qe parë e as dëgjuar ndonjëherë që elefantët e politikës të binin në një mendje tak-fak dhe, mbi të gjitha, pa çak e pa bam.
Doemos që ngazëllimi qe i madh. Aq i madh sa të kujtonte drithërimën që ngjallte dikur kënga ‘Me gëzim po shkoj në punë’
2.
Të bësh veting, në popullorçe i thonë: të kalosh në sitë. Medemek dy partitë e mëdha kërkonin që lidershipi i tyre dhe të tjerë të sitiseshin.
Sita e vetingut do ndante krundet nga mielli, të lidhurit me krimin dhe ata që nuk justifikonin dot pasuritë do mbeteshin sipër e do përjashtoheshin nga mexhliset e parisë.
Problemi ishte se politika kishte tej mase shumë krunde dhe, sa më lart të ngjiteshe aq më të shumta e më buçkane ishin. Mbeteshin jo vetëm në sitën e miellit, por edhe në shoshën e rërës.
Këtu njerëzia filloi të dyshonte: pse po ia heqin vetes kolektivisht duke qenë mirë e tumirë, me poste e ofiqe, me pasuri e katandi, me vetura, shoferë e tufa servilësh.
Pastaj erdhi dyshimi kryesor: mirë vetingu që do bëhet, po kush do ta bëjë?Nga do vijnë ata burra e ato gra që do peshojnë parinë e politikës e do gjejnë ç’kanë prokopsur me djersën e ballit dhe ç’kanë mbledhur e vjedhur me fshesën e ofiqeve?
Në këtë pikë miletit iu kujtua historia e minjve. Maçoku po bënte kërdinë. E vranë mendjen të gjorët minj dhe gjetën një zgjidhje: t’i vinin këmborë rrezikziut. Kur t’u qasej do e dëgjonin e s’do ziheshin apasëz. Gjetje e madhe, erdhi shpëtimi! Por si u hodhën një copë herë nga gëzimi, njeri pyeti: mirë këmbora, po kush do qaset te goja e maçokut që t’ia varë në qafë?
3.
Përrallat me veting mund të tirren hollë e të vazhdojnë gjatë. Por përvoja e deritanishme e vetingut në drejtësi dëshmon se ka një rrugë të thjeshtë që mund të funksionojë shpejt dhe me rezultat edhe për politikanët e korruptuar dhe të tjerë të këtij kallëpi.
Më shkoqur. Eshtë mbreslenës numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk e kanë kaluar dot sitën e vetingut. Shumica e tyre janë ndëshkuar se nuk justifikojnë dot pasuritë që kanë deklaruar gjatë vitesh në ILDKPKI. Këto të dhëna kanë qenë prej kohësh në sirtarët e këtij institucioni. Duket qartë se ILDKPKI nuk ka arritur dot të kryejë funksionet për të cilat është ngritur.
Në këto rrethana mjafton të bëhet një diagnostikim i thelluar rreth pyetjeve: pse ILDKPKI nuk i ka kapur këto që po kapin organet e vetingut, ç’e ka penguar dhe, sidomos, ç’ndryshime ligjore dhe institucionale duhen bërë që ky institucion të forcohet e të veprojë kundër gjithë atyre që nuk e justifikojnë dot pasurinë, politikanë a nëpunës të lartë qofshin.
Në mos veproftë si sitë, të paktën si kërsërë, apo qoftë edhe si shoshë, do funksionojë. Gjithsesi puna do i ketë duk dhe qar e kemi: ca krunde më pak në elitat drejtuese. Natyrisht po të ketë vullnet politik e procesi i korrigjimit të këtij institucioni të mos bëhet sipas avazit ‘m’ka çu lala me lā gojën.
Me shpresë krijimi i SPAK-ut dhe i organeve të tjera, që synon reforma në drejtësi, do ta intesifikojë pastrimin e politikës. Po deri atëhere mund të fuqizohen e të funksionojnë siç duhet institucionet ekzistuese.
Propaganda që flet për veting pas vetingu, vetingje që do të përfshijnë atë e këtë plus këtë e atë, po kthehet në përrallë që bën të nënqeshin edhe kalamajtë.
Ndodh kështu për një arsye të thjeshtë. Vetëm vetingu në drejtësi do vazhdojë nja 3-4 vjet. Të ndërmarrësh turlilloj vetingjesh që po “propozohen”, i bie që gjithë shoqërinë, duke nisur nga institucionet më të larta e duke sosur tek mejhanet, ta shndërrosh në gjykatë. Diçka e ngjajshme me Gërrmërrin Shekullor të Kadaresë.