Detaje të reja kanë dalë në dritë mbi krimin e dytë që tronditi Mamurrasin brenda 24 orëve. Shkak për ekzekutimin e 27-vjeçarit është bërë hakmarrja. I riu Indrit Pepa është qëlluar me breshëri kallashnikovi sapo ka dalë nga shtëpia e tij.
Mësohet se ai dhe familja e tij jetonin më shumë jashtë Shqipërisë, ku ishin ngujuar për shkak të një konflikti të mëparshëm të 27-vjeçarit dhe frikës nga gjakmarrja. Indrit Pepa ishte baba i një vajze të vogël 3-vjeçare, ndërsa është ekzekutuar në orët e para të mëngjesit të sotëm, në lagjen ‘Zef Hoti’, në periferi të Mamurrasit.
Familja e viktimës ishte e ngujuar për më shumë se 5 vite për shkak të konflikteve të hershme të 27-vjeçarit me autorin e krimit, ku i riu e kishte plagosur. Po ashtu policia bën me dije se ka arritur të identifikojë autorin e dyshuar të krimit, shtetasin me inicialet A.M., 49 vjeç, i cili është shpallur në kërkim. Në vitin 2012, Indrit Pepa ka qenë i akuzuar për plagosje me armë.