Dosja “Hajdari” pritet që shumë shpejt të tronditë politikën shqiptare. Ish-truproja e ish-kryeministrit Sali Berisha, Izet Haxhia ka vendosur dje që të depozitojë kërkesën për të rihapur dosjen e vrasjes së Azem Hajdarit. I ekstraduar pak ditë më parë nga Turqia për llogari të drejtësisë shqiptare sepse konsiderohet si një nga bashkëpunëtorët në vrasjen e Hajdarit, Izet Haxhia ka kërkuar rigjykim të kësaj çështjeje sepse është dënuar në mungesë.
Ish-truproja e Berishës e kishte paralajmëruar një hap të tillë që në momentin që u mor vendimi për ekstradimin e tij, ndërsa dorëzimin e kërkesës në gjykatë dje e konfirmoi edhe avokati i tij. Duke qenë në këtë pikë, duhet theksuar fakti se Izet Haxhia ka ndryshuar avokatin mbrojtës. Në fillim të kësaj çështjeje, Haxhia pajtoi si avokat Fran Dashin, por rreth një javë pas mbërritjes në Shqipëri ai është zëvendësuar me avokatin Bashkim Nikolla.
Avokati zbardh detajet
Avokat Nikolla, i kontaktuar nga gazeta “SOT”, deklaroi dje se ka kërkuar rivendosjen në afat të çështjes “Hajdari”. Ndër të tjera, ai zbuloi edhe rrugën që ka ndërmend të ndjekë për të bindur trupën gjykuese për rishqyrtim të dosjes. Sipas tij, kërkesa është e bazuar tek normat dhe konventat ndërkombëtare, duke theksuar se si alibi do të përdorë disa precedentë në Gjykatën e Strasburgut.
“Në orën 09.25 unë kam dorëzuar kërkesën pranë Gjykatës Penale të Tiranës. Kjo është një kërkesë e zakonshme. I takon çdo qytetari kjo e drejtë, pasi ai është gjykuar në mungesë. Ne fillimisht kemi kërkuar që gjykata të na dëgjojë.
Kjo është fazë e parë. Normalisht unë kërkesën e kam bazuar mbi normat ndërkombëtare. Kam përmendur disa precedentë në Gjykatën Ndërkombëtare të Strasburgut. Po ashtu është vetë rasti Izet Haxhia kundër Shqipërisë. Pra është e drejta e gjithkujt të kërkojë një gjykim të drejtë. Ne kërkuam të dëgjohemi.
Më pas do dëgjohet ajo se çfarë do të flasim”, tha ai. Pas depozitimit, kjo kërkesë pritet të hidhet në short për të caktuar gjyqtarin para të cilit Haxhia do të jetë përballë për të renditur argumentet e tij përse duhet të rigjykohet. Izet Haxhia me lëvizjet e tij po fut në ankth në radhët e politikës, pasi një ndër personat kryesorë që ai ka akuzuar si të implikuar në vrasjen e Hajdarit është Sali Berisha.
Ja detajet e kërkesës
Në kërkesë, Izet Haxhia, i përfaqësuar nga avokati Bashkim Nikolla kërkon rigjykimin, në zbatim edhe të garancisë që shteti shqiptar dha për ekstradimin e tij nga Turqia në Shqipëri. Sipas kërkesës, Haxhia është dënuar në një proces gjyqësor në mungesë dhe ku ai nuk ka dhënë asnjëherë prokurë për t’u përfaqësuar nga ndonjë avokat.
Gjithashtu theksohet se Izet Haxhia nuk është pyetur dhe nuk ka folur asnjëherë për drejtësinë shqiptare për këtë çështje. Sipas kërkesës, gjykimi i kësaj çështjeje në të gjitha shkallët e gjykimit është zhvilluar në mungesë të të pandehurit Izet Haxhia dhe pa dijeninë e tij. “Ai nuk ka lëshuar asnjë lloj prokure për avokatin që e ka përfaqësuar në gjykimin në Gjykatën e Shkallës së Parë.
Ai nuk ka pasur dijeni për ankimimin që i është bërë vendimit në Gjykatën e Apelit Tiranë, e cila ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Vetë Izet Haxhia provohet se nuk ka bërë deklarime para organeve proceduese”, thuhet aty. Po ashtu aty përmendet dhe shkresa e Ministrisë së Drejtësisë drejtuar autoriteteve turke, ku jepte garanci për rihapjen e dosjes./ SOT