Demokratët kanë refuzuar planet e ish-kryeministrit Sali Berisha për të shkaktuar trazira dhe për të marrë më pas forcërisht drejtimin e partisë. Ashtu siç e kishte planifikuar, Berisha mbajti dje protestën e parë pas 17 vitesh të organizuar prej tij, por e gjitha ishte një dështim total.
Qëllimi ishte të protestohej kundër ardhjes së presidentit serb dhe për aferën e inceneratorëve, por kjo protestë dëshmoi se Berisha nuk ka pas vetes as ata 4 mijë veta që i dhanë votën në 25 prill. Në sheshin para Kryeministrisë u mblodh një grup militantësh, shumica ish-funksionarë të qeverisë së Berishës.
Mbështetja nga militantë ishte shumë e vakët dhe vetë Berisha e pa një gjë të tillë. Edhe pse në prapaskenë flitej për trazira dhe se kjo protestë ishte alibi për zaptuar PD, Berisha vendosi që të largohej drejt banesës së tij.
Protesta zgjati rreth një orë dhe përveç fjalës së mbajtur nga disa individë, nuk pati asnjë zhvillim tjetër. Si duket mbështetja e ulët nga qytetarët duket se prishi skenarët e ish-kryeministrit, i cili dështoi totalisht që të marrë frenat e partisë.
Që kur nisi foltorja, Berisha fjalën “protesta” e kishte të parën. Në çdo takim ju bënte thirrje qytetarëve që të bëheshin gati për ta shporrur Edi Ramën nga faqja e dheut, ndërsa po ashtu i dërgonte mesazhe Lulzim Bashës. Mirëpo protesta e djeshme dëshmoi se nuk i ka më pas vetes demokratët dhe skenarët e 1998 nuk ka asnjë gjasë të përsëriten më.
Berisha në mëshirë të Bashës
Në fjalën që mbajti në podium, Berisha sulmoi Ramën për “Ballkanin e Hapur”. Ai e akuzoi se po bëhet palë me Serbinë, ndërsa lëshoi dhe kërcënime. Më pas u pyet dhe nga gazetarët, ku teksa mundohej të kërcënonte liderin demokrat Basha, Berisha dukej i tërhequr dhe pa strategji duke dëshmuar se tashmë është në mëshirë të Bashës.
“Sot ka një shumicë dërrmuese nga Rama, ka edhe një pakicë nga ana tjetër, nëse kjo pakicë vazhdon të mos njohë shumicën. Nëse kjo pakicë nuk njeh shumicën dhe mendon se mund të shtypë shumicën me ndihmë të qeverisë, e vërteta është që do të mbahen përgjegjëse në mënyrë shembullore, ajo dhe Edi Rama.
Shumica respektohet nuk mund ta marrësh kurrë peng. Ne jemi shumica”, tha ai. I pyetur disa herë se si do të vijohet më tej, Berisha tha se do ketë program protestash pa dhënë asnjë datë dhe pa dhënë asnjë detaj duke treguar se ish-kryeministri po jep shenja tërheqje.
“Bëhet fjalë për një opozitë, më të fortën që ka pasur vendi nga viti 91. Në rast se Shqipëria është rrokullisur në këtë mënyrë, përgjegjësi ka edhe udhëheqja e shkuar e opozitës. E cila në asnjë rrethanë nuk dha shembullin dhe nuk priu për të ngjallur shpresën dhe besimin te qytetarët shqiptarë.
Kjo kohë merr fund. Një protestë e thirrur në 48 orë. Herë tjetër do ketë program protestash. Asgjë nuk do na pengojë pa bërë transparencë të plotë për të gjitha lidhjet e tmerrshme të lidhjeve të Ramës me krimin”, tha Berisha.