Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është ftuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, sot në orën 09:30, të paraqitet në këtë institucion të dëshmojë për rastin e rezervave shtetërore, në të cilin janë të implikuar ministrja Rozeta Hajdari dhe afaristi Ridvan Muharremi.
Kjo ftesë i është dërguar kryeministrit Kurti që nga 12 dhjetori, por ende nuk dihet nëse ai do ta paraqitet para Prokurorisë.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu kritikoi sistemin e drejtësisë për ndërhyrje në procesin zgjedhor.
“Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor, i cili ia kishte pamundësuar [Kurtit] kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit, 2021, kurse tash, përmes kësaj ftese, po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2025”, shkroi ai.
Në gusht 2024 u publikuan disa audio-regjistrime, në të cilat dëgjohen dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, të cilët gjatë një bisede pretendojnë se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk mbërriti kurrë. Sipas regjistrimeve e njëjta gjë ka ndodhur edhe me rezervat e grurit.