Ish-ministri Lefter Koka ka dëshmuar në sallën e gjyqit lidhur me aferën e inceneratorit të Elbasanit.
Gjatë dëshmisë së tij ai ka thënë se gjyqi ndaj ti është i manipuluar, duke shtuar se e vërteta do të zbardhet.
Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka nuk i ka kursyer akuzat ndaj ish-presidentit Meta, pasi sipas tij ka pasur qëllim ta fusë në burg.
“Kjo është një situatë e krijuar nga Presidenti me fallxhoren e tij, i cili duke ndenjur mehaneve, shprehet do ta fus në burg”, mësohet të ketë thënë Koka në dëshminë e tij.
Një e vërtetë e thënë përgjysmë është e pavërtetë. Prokuroria u bazua tek kallëzimi LSI dhe për 2 vite nuk më mori në pyetje asnjëherë. Unë si ministër, Sekretari përgjithshëm dhe Komisioni kemi zbatuar me përpikmëri ligjin.
Bëmë punën më të mirë dhe shërbyem me devotshmëri. Eshtë kohë e vështirë që kërkon burra e burrni, unë si kam borxh askujt ta paguaj me lirinë time!
Akuza e prokurorisë është idiote! Kam hyrë në politikë si biznesmen dhe s`më bëri politika biznesmen. Po kthehemi 45 vite para në proceset e stisura të sistemit komunist. Është një alarm jo vetëm për mua por për të gjithë shoqërinë. Ky proces është i manipuluar fund e krye , besoj se e vërteta do të triumfoj.
Nuk ekziston asnjë kontakt ose njohje me pronarët e inceneratorëve, ato nuk i solla unë por erdhën si propozim nga bota e biznesit. Prokurori devijoi hetimet dhe fraksionojë dosjen për të mos zbuluar të vërtetën. Drejtësia më herët sesa vonë do të dalë.
Intriga e këtij procesi dashakeqës do të dalë dhe uroj të shërbejë për konsolidimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi. Prokurori fshehu 40 fashikuj hetimor ku gjenden provat për pafajësinë time. Më janë vënë në dispozicion nga gjykata 1 javë më parë. Akuza pësoi mutacione për ti qëndruar besnike kallëzimit të LSI. Kurrë nuk i kam futur dorën në xhep dikujt.”- thotë Koka.