Presidenti Ilir Meta, në një konferencë për mediat nga qyteti i Durrësit, u pyet në lidhje me deklaratat e ambasadores Yuri Kim për Tom Doshin, i cili akuzohet për korrupsion.
Kreu i shtetit, tha se qytetarët kanë shumë mundësi për të zgjedhur se kë do të votojnë.
Meta deklaroi tha se s’ka asnjë arsye që t’i shmanget çështjes më të madhe që ka vendi tani, ndërsa shtoi se kemi një ligj për dekriminalizimin.
“Nuk kam asnjë arsye të shmangem nga çështja më e madhe që ka vendi. Ne e dimë që kemi një histori të dhimbshme, një ligj për dekriminalizimin, e dimë shumë mirë se kush na detyroi të bëjmë një ligj të veçantë, se kush kandidoi me 3-4 emra në krye të bashkive e parlament, e kudo.
Ajo që dua të theksoj, në këto zgjedhje edhe pse nuk u bë më e mira, përsëri qytetarët kanë mundësi jo vetëm të zgjedhin mes subjekteve, 12 në shkallë vendi, as 2, as 3.
Jo vetëm të zgjedhin 1 nga 12 apo 13, aty ku ka dhe të pavarur, por dhe brenda listës për atë opsion politik që është më i miri, kanë sinjalin për kandidatin dhe kandidaten që besojnë më shumë.
Ftoj qytetarët që të votojnë me bindjen e tyre, për alternativën që i përfaqëson më mirë, edhe për kandidatin apo kandidaten me më integritet, që do jepej një mesazh i mirë për kryetarët dhe kryetaret për listat për të ardhmen”, u shpreh Meta.