Në fshatin Bularat të Gjirokastrës ka ardhur për një vizitë në shtëpinë e Konstandinos Kacifas eurodeputetja greke Eleni Theocharous, e cila ka lëshuar një sërë deklaratash të forta për vdekjen e 35 vjeçarit nga duart e forcave speciale RENEA.
Pasi takoi familjarët e Kacifas, eurodeputetja që bën pjesë në grupin e Konservatorëve dhe Reformistëve në Parlamentin Evropian, ka folur për vrasje dhe shkelje të të drejtave të njeriut.
Theocharous është shprehur se kemi të bëjmë me një vrasje, duke lënë të nënkuptojë se reagimi i RENEA-s në gjykimin e saj ka qenë i gabuari. Madje eurodeputetja greke ka folur për dhunim të madh të të drejtave të njeriut, një aspekt të cilin Brukseli duhet ta shohë me kujdes.
“Besoj se jemi përballë një dhunimi të madh të të drejtave njerëzore të komunitetit grek të zonës. Ngjarjen e konsideroj vrasje dhe dua që njerëzit që ndodhen në Bruksel të dëgjojnë zërin e të ëmës së Kaçifas. Sepse burgosja që mund t’i ndodhte të birit nuk krahasohet me dhunimin e të drejtave themelore të njeriut.”-tha eurodeputetja.