Ervis Meço, deputeti nga komuniteti rom i cili u betua në Kuvend javën e kaluar pasi mori mandatin nga Komisioni Qendror Zgjedhor, nga listat e PD në seancën e sotme denoncoi nga foltorja se është kërcënuar me jetë së bashku me familjen. Ai i bëri thirrje kryetarit të Kuvendit, ambasadës së SHBA-së dhe të tjerave që ndodhen në Tiranë, që ti mbrojnë jetën pas kërcënimeve që ka pasur në adresë të tij.
“Zoti Ruçi iu vendos në dijeni dhe i bëj thirrje ambasadës amerikane dhe të gjitha të tjerave se pas pranimit të deputetit që lobon për komunitetin egjiptian dhe rom, jeta ime është në rrezik. Përveç një vërshimi me doza raciale, jeta ime dhe familjes është e kërcënuar. Patologjia raciale dhe zemërimi po më diskriminon dhe shantazhon deri në marrjen e jetës. Ju lutem merrni nën kontroll ruajtjen e mos cenimit të integritetit tim.
Të dashur qytetar reflektoni, Ervis Meço nuk ka hyrë në këtë parlament për të fyer Lulzim Bashën dhe për të kënaqur Edi Ramën, nuk jam kriminel dhe oligark, por babai i një vajze që lobon për të drejtat e shtresave në nevojë. Ju lutem më mbroni jetën. Së fundmi kam dy cështje të deleguara nga Delvina për kryeministrin Rama, dua të sjell dy shqetësime, qyteti nuk ka një plan për rikthimin e ujit të pijshëm. Kur do të rikthehet uji i pijshëm dhe shqetësimi i dytë është se Devilna po përballet me izolimin, gjykatat janë hequr, spitalet nuk kanë mjekë dhe së fundmi është në vijim një plan për zhvendosjen e zyrave arsimore për në Finiq” deklaroi ai.
Ndërkohë që kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi reagoi duke thënë se “Lidhur me atë që dëgjova dhe rrezikimin e jetës suaj. Ju lutem depozitoje kërkesën që ke dhe duhet ta procedosh rastin që ke”. Dje ish-kryeministri Sali Berisha fyeu deputetin nga komuniteti rom Ervis Meço. Teksa postoi një “denoncim’, përveç ofendimit për përkatësinë tij, Berisha ngriti dhe akuza ndaj deputetit të ri duke thënë se i është dhënë si shpërblim një apartament në Tiranë për të pranuar mandatin.