Në kuadër të platformës ‘deputeti që duam’ kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me kandidatë për deputetë për të përfaqësuar Partinë Socialiste në parlamentin e ardhshëm.
Ndërsa theksoi se mandati i dytë u thye në mes nga tërmeti dhe pandemia, Rama shtoi se 25 prilli do të përcaktojë nëse do të vazhdojnë përpara punët e nisura apo do të ngecin në gropën e asaj politike, e cila sipas tij çoi vendin në humnerë.
“Kjo do tregojë nëse do ecim apo të të ngecim në gropën e asaj politike që na çoi në humnerë. Kemi bërë shumë, shumë më shumë se ata që e kishin këtë detyrë para nesh por skemi bërë sa duhet , pasi ky mandat u thye në mes nga tërmeti dhe pandemia.
Nuk jemi kursyer në përpjekjet tona asnjë ditë. Unë vetë kam bërë çmos në krye të të gjitha përpjekjeve duke vënë mishin dhe shpirtin në këtë detyrë për ta merituar nderin që më keni bërë me besimin që më keni dhënë. Grupi jonë me profile të reja, për çdo rol dhe është gati të bëjë më shumë”, tha Rama.
Teksa ka prezantuar disa finalistë të programit “Deputeti që duam”, Rama tha se grupi parlamentar ka qenë vijimisht solid dhe mbështetës për reformat, për vendimmarrjet e vështira dhe për çuarjen përpara të punës përpara dhe se do të jetë boshti i skuadrës sonë kombëtare të 25 prillit. Kryeministri konfirmoi se do të jetë në listën e Durrësit për zgjedhjet e 25 Prillit, gjë të cilën e kishte shprehur dhe më parë por ende s’kishte marrë një vendim final.
“Skuadra jonë kombëtare po bëhet gati. Fatmirësisht ne ndryshe nga të tjerët nuk kemi mungesë zgjedhjesh. Kemi më shumë lojtarë të aftë për të mbuluar të gjitha rolet se sa vendet në skuadër. Grupi im parlamentar ka shumë profile të përshtatshme për çdo rol dhe gjatë këtyre viteve ka krijuar një bagazh eksperience të vyer që assesi nuk mund të neglizhohet. Është një grup që ka mbajtur ngarkesa të mëdha, momente të caktuara, krejt të pazakonshme për vetë dinamikën e jashtëzakonshme të jetës parlamentare, ku momentet e rënda të tensionit kanë qenë të shpeshta dhe të gjata.
Grupi ka qenë vijimisht solid dhe mbështetës për reformat, për vendimmarrjet e vështira dhe për çuarjen përpara të punës përpara. Ky grup do të jetë boshti i skuadrës sonë kombëtare të 25 prillit. Skuadra duhet të jetë në lartësinë e sfidës të ripërtëritjes me lojtarë të rinj, me vajza e djem, gra e burra që sjellin energji të reja, profile të reja, përfaqësuese të një shoqërie që ndryshon me shpejtësi. Gjithashtu formacioni i skuadrës sonë kombëtare, duhet të japë mesazhe të reja, grupmoshave, më të rinjve, grave në mënyrë të veçantë, kategorive të ndryshme sociale.
Na duhen deputetë e deputete që ambicien të kenë qëndrimin sa më pranë zgjedhësve. Zgjidhjen e halleve e problemeve të njerëzve në çdo komunitet, pjesëmarrjen sa më të frytshme në parlament, por shumë e rëndësishme kontributin sa më pozitiv në frymën e skuadrës. Skuadra është mbi të gjithë dhe mbi të gjitha egot personale. Për ndeshjen e 25 prillit kemi ndërtuar një proces të ri, inovativ, duke hapur derën për të gjithë ata që kanë ambicie, kurajë, vullnet për t’u bërë pjesë e skuadrës sonë.
Kemi pritur 1581 shprehje interesi nga vajza e djem, gra e burra, nga veriu në Jug, nga qyteti e fshati, brenda e jashtë vendit. I falënderoj të gjithë pa asnjë përjashtim. Ka qenë nder për ne që aq shumë individë na kanë ofruar gatishmërinë e tyre për t’u bërë pjesë. Procesi ka kaluar disa etapa. Më vjen mirë që sot takohem me disa nga ata që janë seleksionuar”, deklaroi Rama mes të tjerash.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe Sekretari Përgjithshëm i PS Taulant Balla, Kryetari Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, të cilët kanë treguar eksperiencat e tyre dhe u kanë dhënë këshilla kandidatëve të tinj.