Deputetët e maxhorancës në Komisionin e Ligjeve zhvilluan një dëgjesë me 9 kandidatët për anëtarë të Komisionit të Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit të ligjit për organet e reja të Reformës në Drejtësi. Nga 9 anëtarët që kanë shprehur interes për këtë komision, deputetët do të përzgjedhin në javët e ardhshme vetëm 5 prej tyre, të cilët do t’i kalojnë seancës plenare për miratim.
Gjatë seancës dëgjimore me kandidatët për anëtarë të Komisionit të Pavarur për Koordinimin dhe Monitorimin e organeve të reja në sistemin e drejtësisë u zhvilluan edhe debate mes deputetëve të PS dhe garuese për vendet vakante. Deputeti i PS-së, Alket Hyseni, ironizoi rezultatet që kishte në diplomën e saj kandidatja Suzana Pasha.
“Zonja Pasha ju keni përfunduar studimet për një periudhë 7-vjeçare. Kjo ka ardhur nga dashuria për profesionin se shoh që edhe rezultatet besoj nuk kanë qenë për t’u krenuar…”, citon Panorama deputetin Hyseni. Ndërkohë që kandidatja Pasha i ka kujtuar se nuk vinte nga një familje me pozita të larta si ajo e deputetit.
“Ndoshta s’kam pasur mundësitë tuaja se vij nga një familje jo e konsiderueshme si ti. Në moshën 10-vjeçare më ka vdekur babai. Se të njoh edhe unë nga televizori, nuk të njoh kështu, se s’të kam as koleg, as shok, por të njoh nga mediat”, ka deklaruar Pasha.