Mazhoranca qeverisëse duket e vendosur për t’i shkuar deri në fund shkarkimit të presidentit Ilir Meta nga detyra. Ditët e fundit ka pasur zëra se çuarja e çështjes sërish te Komisioni i Venecias dhe shtyrja e afateve të komisioni hetimor me katër muaj janë bërë me paramendim nga ana e socialistëve me qëllimi zvarritjen e shkarkimit të presidentit Meta.
Madje edhe takimi që kreu i shtetit zhvilloi pak ditë më parë me djalin e filantropit, Xhorxh Soros, Aleksandër Soros u pa si “ndërhyrje” nga ana e këtij të fundit për të qetësuar ujërat mes shumicës dhe Metës. Por për deputetët e Partisë Socialiste asnjë nga këto nuk është e vërtetë. Gazeta kontaktoi dje me disa nga ligjvënësit socialistë, të cilët njëzëri u shprehën se nuk ka asnjë tërheqje nga shkarkimi i Metës.
Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, deputetja Artemis Malo deklaroi se PS do t’i shkojë deri në fund nismës së saj për shkarkimin e Metës. Sipas saj, për socialistët shkarkimi i kreut të shtetit nuk është lojë. “Për ne si mazhorancë qeverisëse komisioni hetimor nuk është lojë. Nuk ka zvarritje sa i takon hetimit që po bën komisioni hetimor. Ne do t’i shkojmë deri në fund shkarkimit”, deklaroi deputetja Malo.
Meta shkeli Kushtetutën, do shkarkohet
Në të njëjtën linjë me kolegen Malo, dje u rreshtua edhe deputetja e Partisë Socialiste, Antoneta Dhima. Kjo e fundit gjatë një prononcimi për gazetën “SOT” akuzoi presidentin Ilir Meta se ka shkelur Kushtetutën në disa raste, ndërsa për të vërtetuar këtë solli si shembull opinionin e Komisionit të Venecias. Sipas saj, mazhoranca nuk po e zvarrit procesin dhe se është e vendosur për ta shkarkuar presidentin Meta nga detyra. “Raporti i Komisionit të Venecias theksoi se, presidenti Meta me vendimin e marrë për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, nuk ka vepruar në përputhje me Kushtetutën. Është kompetencë e Kuvendit e më pas e Gjykatës Kushtetuese, të cilat duhet të vendosur nëse shkeljet e kryera nga ana e presidentit Meta do të jenë të mjaftueshme, për të marrë vendimin për shkarkimin e tij.
Edhe me parë jam shprehur se Komisioni i Venecias në raportin e tij ka theksuar se: Presidenti Meta ka vepruar nëmungesë të bazës ligjore, kur anuloi zgjedhjet e 30 qershorit dhe vendosi shtyrjen e tyre duke mos e patur kompetencë sipas Kushtetutës dhe sipas ligjit elektoral, duke cenuar kështu të drejtën e shtetasve për të zgjedhur. Mazhoranca është e vendosur t’i shkojë deri në fund shkarkimit të presidentit, nuk është lojë dhe nuk mendoj se në këtë proçes ka zvarritje”, deklaroi Dhima.
Procesi hetimor ndaj Metës nuk është lojë
Por zërat se procesi hetimor ndaj presidentit Ilir Meta është farsë e rrëzoi dje edhe deputeti i Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia. Ky i fundit gjatë një prononcimi për gazetën “SOT” deklaroi se nisma e mazhorancës dhe ngritja e komisionit hetimor kundër presidentit Ilir Meta nuk janë lojë. Sipas tij, PS është e vendosur për të shkarkuar Metën. “S’ka asnjë lloj zvarritje sa i takon hetimit që po bën komisioni hetimor dhe shkarkimit të presidentit Ilir Meta nga detyra. Gjithçka do të bëhet sipas procedurave të përcaktuara”, deklaroi Qefalia. Ndërkohë, deputeti socialist, Andrea Marto deklaroi gjatë prononcimit për gazetën “SOT” se mazhoranca nuk është lëkundur sa i takon nismës së saj për të shkarkuar presidentin Ilir Meta nga detyra. “Nuk di të ketë ndonjë ndryshim qëndrimi nga ana e mazhorancës sa i takon shkarkimit të presidentit Ilir Meta nga detyra. Akuzat e opozitës se shkarkimi i Metës po kthehet në pazar nuk qëndrojnë. Opozita nuk di se çfarë thotë dhe çfarë kërkon”, deklaroi Marto. /Rigels Seliman