Deputetët e “Rithemelimit” duket se janë në hall të madh. Ashtu, siç shprehet një pjesë e madhe e tyre kur janë nëpër tavolina, i kanë hyrë një rruge pa krye që nuk të nxjerr asgjëkundi.
Një pjesë e kanë kuptuar që e gjithë loja bëhet për të shpëtuar nderin e humbur të Gazmend Bardhit, i cili i premtoi Berishës për t’i çuar vulën dhe siglën e PD-së, por nuk ia arriti. Një pjesë tjetër shprehen pesimist se kjo rrugë është pa të ardhme, por tani janë peng të veprimeve të tyre. “Loja” bëhet vetëm për 2-3 prej tyre, të cilët iu është mbushur mendja se janë lider të mëdhenj dhe do të trashëgonin tapinë e “Rithemelimit” pas Sali Berishës.
Kuptohet se përpjekja e tyre është e kotë, sepse kur të vijë momenti, nëse do vijë ndonjëherë një moment i tillë, Berisha do t’i hedhë në “votë” dhe do jetë “vota” ajo që do t’u tregojë se sa vlejnë. Hakmarrja është një gjellë që serviret e ftohtë dhe askush tjetër më mirë se Sali Berisha nuk e di këtë. Pasi dështuan me hedhjen nga kangjellat, me futjen nga dritaret e kryesisë së Kuvendit, siç edhe shihet në foto, deputetët e Rithemelimit Asllan Dogjani, Ilir Metalija, Kasëm Mahmutaj, i janë bashkëngjitur mbledhjes online të Komisionit të Sigurisë, në të cilin po raportonte drejtuesja e SHISH, Vlora Hysenaj.
Të jetë spostuar edhe Revolucioni i madh në ekranin e vogël online?! Pra deputetët e Sali Berishës kanë nisur që të braktisin çetën anti-amerikane për sabotimin e punimeve në Kuvend dhe po bashkohen me ata të Ramës. Megjithatë a do t’i “rrah” Flamur Noka siç bëri Dash Sula me Kreshnik Çollakun të cilit i zuri puci në dyert e komisionit të Integrimit, kjo mbetet të shihet në ditët në vijim.
Komisionet mblidhen online
Ndërkohë mbledhja e Komisionit të Sigurisë nuk ishte e vetmja, pasi edhe tre komisione parlamentare të ditës së djeshme, u zhvilluan online për shkak të bllokimit të punimeve nga grupi mbështetës i Berishës. Deputetët pjesëmarrës në komisione u lidhën online nga vendet ku ndodheshin, më së shumti nga shtëpitë. Më shumë binte në sy fakti që kishte edhe deputetë të cilët ndiqnin mbledhjen dhe ndërkohë edhe i jepnin makinës, si rasti i deputetëve Bujar Çela, Kasëm Mahmutaj dhe Eduart Ndreca. Por flagrante në mbledhjen online të komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, ishte pjesëmarrja e deputetit demokrat Gëzim Ademaj, i cili po pinte kafe e duhan ndërkohë që diskutohej për buxhetin e vitit 2024.
Berisha dhe Bardhi mbledhin grupin e deputetëve
Por nga ana tjetër, ky dezertim i tre prej deputetëve të Rithemelimit duket se nuk ka prishur axhendën e Gazment Bardhit dhe Sali Berishës, të cilët dje kanë mbledhur grupin parlamentar të tyre. Si Berisha dhe Bardhi premtuan se nuk do të heqin dorë nga skenari i kaosit për të mos lejuar zhvillimin normal seancave parlamentare me pretendimin se po u mohohen të drejtat e opozitës.
Fillimisht ishte ish-kryeministri Sali Berisha, i cili deklaroi pas mbledhjes para gazetarëve së grupit parlamentar ke se po bëhen gati riformatime të tjera të qeverisë. Ai u shpreh gjithashtu se Edi Rama sakrifikon Parlamentin për pushtetin e tij, por shqiptarët nuk do pajtohen kurrë me sakrifikimin e Kuvendit të Shqipërisë për pushtetin e një njeri të inkriminuar në shkallën më të lartë.
Sakaq, Gazment Bardhi deklaroi dje para mediave pas mbledhjes së grupit se opozita do të bllokojë seancën maratonë 2 ditore të datave 20 dhe 21 nëntor, ku Parlamenti do të shqyrtojë në parim projekt-buxhetin e 2024. Madje zoti Bardhi theksoi se përgjatë këtyre dy ditëve nuk do të përjashtohet as ngujimi në seancë, ndërsa një ftesë pas mbledhjes së grupit të deputetëve të tij dhe Berishës Gazment Bardhi ia bëri edhe Lulzim Bashës që t’i bashkohet aksionit.