Një ditë më parë, Taulant Muka dha dorëheqjen nga posti i zv/ministrit të Arsimit, pozicion që iu ofrua nga vetë kryeministri Edi Rama rreth dy javë më parë, pas dorëheqjes së Ervin Demos.
Ndonëse fillimisht Muka u përball me një lumë kritikash, duke pranuar postin e zyrtarit që me denoncimet e tij për plagjiaturë e detyroi të jepte dorëheqjen, ai u largua nga Ministria e Arsimit, pasi e ka konsideruar të papranueshëm modelin e punës në Ministrinë që drejtohet nga Lindita Nikolla.
Ai ka këmbëngulur se këtë post nuk e mori për pushtet, por për të reformuar sadopak sistemin arsimor në Shqipëri, që sipas tij është në gjendjen më të keqe në histori.
Në një intervistë për “Kafein”, Muka ka rrëfyer edhe një histori të tij kur ishte pjesë e protestave nga lëvizja studentore në Shqipëri, disa vite më parë dhe se dikush u kishte ofruar një çek të bardhë për ta plotësuar me qëllim që “të mbyllte gojën”.
“Po them një informacion që nuk e kam ndarë me askënd. Kur kam qenë në vit të katërt apo të pestë në mjekësi, kur studioja në Shqipëri, isha pjesë e protestave të lëvizjes studentore për reformën në sistemin arsimor dhe u bë edhe si luftë kundër dekanit në atë kohë.
Mua më erdhi një çek i bardh në atë kohë për tu plotësuar nga një person i caktuar, më tha plotëso dhe mbylle gojën, ndërkohë në atë kohë prindërit e mi kishin borxhe, dhe unë e grisa çekun e bardhë.
Dua të them me këtë se nuk kam ardhur për të marrë lek dhe nuk e shikoja këtë pozicion për pushtet, por si mundësi për arsimin e lartë, që mendoj se është drama dhe plaga më e madhe e shoqërisë shqiptare”, u shpreh Muka.
Ai ka folur edhe për Beti Njuman në Ora News, dhe ka thënë se u dorëhoq, pasi në Ministri nuk kishte ujë dhe zyra ishte bosh.
Taulant Muka: Taulanti kur ka vajtur në punë ka gjetur një zyrë bosh në aspektin e dokumentave. Unë mbaj mend kryeministrin e vendit dhe zotin Braçe që thoshte që zyrat ishin bastisur. Unë kisha karrigen dhe tavolinat, por nuk kisha përmbajtjen brenda. Ka qenë një zyrë bosh dhe pulti i televizorit ishte marrë dhe letra higjienike ishte marrë. Aty kuptova që unë nuk po ndihesha në shtëpinë time dhe pse aty informacioni nuk ishte, sepse pavarësisht kush vjen zv/ministër dokumenacioni duhet të qëndrojë.
Nuk ka një protokoll, zv/ministri nuk është një person kushdo. Ai ka një detyrë të rëndësishme.
Unë nuk jam mësuar me këtë model dhe vij nga një kulturë tjetër. Ka një mungesë menaxheriale.
Në ministrinë e Arsimit nuk ka ujë të pish dhe kafet kushdo që do më vinte në zyrë do ti blija unë me rrogën time.
Zv/ministri aty ka pak a shumë vetëm aspektin e fjalës, sepse unë dhe një letër të thjeshtë nuk mund ta nxirrja jashtë pa miratimin e sekretarit të përgjithshëm dhe ministres.
Unë i kam kërkuar takim kryeministrit Rama përpara se të bënte emërimin, në mënyrë që të qartësonim se çfarë ishte roli i zv/ministrit të arsimit. Unë vij nga një kulturë tjetër dhe zv/ministri në disa vende ka portofol. Këtu nuk e dija. Në momentin që mu komunikua i kam kërkuar takim dhe një takim i tillë nuk u bë për tu qartësuar. Unë e mora atë pozicion me dëshirën e madhe për të bërë një punë. Pashë që në atë institucion dhe sot ishte vendimtare që unë nuk mund të veproja për ato gjëra që doja.
Beti Njuma: Çfarë hapash konkrete morët në këto 15 ditë?
Taulant Muka: Unë kam bërë një letër që i është drejtuar rektorit të Universitetit të Tiranës dhe dekanit të Fakultetit të Ekonomikut për të verifikuar ato raste plagjaturë që unë kisha përmendur. Këtë ja kam çuar sekretarit të përgjithshëm të ministrisë sepse unë nuk nxirrja asgjë pa firmë dhe normalisht duhet të konsultohesha me pjesën e brendshme të institucionit. Sot kam pasur një takim dhe në këtë takim këshilla ishte që mos të merresha me raste të vecanta dhe unë nuk mund të merresha më shumë se aq.
Beti Njuma: E dinit që ishit i vetëm në llogoren ku u vendosët?
Taulant Muka: Nuk e dija. Unë besoj se përvec njerëzve të thjeshtë të ministrisë, nuk kisha mbështetje. Nuk e di si funksionin në institucionet e tjera, por aty është gjithçka e centralizuar ku firmë ka vetëm sekretari i përgjithshëm dhe ministrja dhe nuk ka pavarësi institucionale as të zv/ministrit, por as të punonjësve të tjerë. Në botë edhe pastruesja është institucion. Unë nuk kisha të drejtë të protokolloja një material. Madje kur vajta të protokolloja dorëheqjen time protokolli nguronte të pranonte dorëheqjen.
Nuk pajtohesha me ministren Nikolla
Taulant Muka: Unë me ministren pata një takim të hënën. Kishim koncepte krejt të ndryshme që unë nuk mund të pajtohesha. Unë aty e bëra ndarjen time me zonjën Nikolla dhe ja kam përcjellë të gjitha shqetësimet e mia kryeministrit. I kam kërkuar një takim sa më urgjent dhe ishte parashikuar javën e ardhshëm, por duke pasur situatën që Taulanti në atë ministri, unë nuk kam informacion mbi të drejtat e mia, sepse unë nuk jam njohës i ligjit. Unë jam aty si zv/ministër është një institucion politik dhe organizativ. Drejtori juridik apo kushdo tjetër duhet të më përcjellë informacionin kush janë detyrat. Unë këto nuk i kisha. Duke mos i pasur besim njerëzve përreth unë nuk isha i sigurt për veprimtarinë time brenda ministrisë dhe thashë më mirë të dorëhiqem të jem i pastër me veten time.