Vendimi i Komisionit të Venecias për të mos ndryshuar raportin paraprak, ka alarmuar presidentin e vendit, Ilir Meta. Venecia tha e zeza mbi të bardhë, se presidenti nuk ka të drejtë të shtyjë datën e zgjedhjeve. Por, pavarësisht kësaj, dje ka pasur një përplasje presidencë- mazhorancë, mbi atë që ndodhi në seancën e Komisionit të Venecias.
Zëdhënësi i presidencës, Tedi Blushi, doli dje në një deklaratë për mediet, duke theksuar se presidenti, Ilir Meta, nuk ka shkelur Kushtetutën me anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. “Lajmet e shpërndara në panik nga shteti i propagandës, janë një dëshmi e dëshpërimit dhe stresit. Ky është dokumenti i vetëm zyrtar i publikuar sot nga Këshilli i Europës, në lidhje me konkluzionet e raportit final të Komisionit të Venecias”, deklaroi Blushi, ndërsa vuri përballë dy dokumente, njëri prej të cilëve, ishte dokumenti, që sipas Blushit, ishte i rremë, i publikuar nga qeveria. Blushi thekson se Komisioni i Venecias, vërtetoi sërish se Meta, nuk e ka shkelur Kushtetutën. “Komisioni i Venecias vëren se edhe në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, siç është lufta apo katastrofa natyrore, Parlamenti do të duhej të miratojë legjislacion (të posaçëm), për të shtyrë zgjedhjet”, citon Blushi. Zëdhënësi i Metës gjatë fjalës së tij, citon sërish Komisionin. “Ekspertët theksojnë thirrjet e Presidentit për dialog dhe pritshmërinë e tij se shtyrja e zgjedhjeve mund të kishte kontribuar në një kompromis midis palëve. Ata theksojnë mungesën e një sfide të drejtpërdrejtë të dekreteve të presidentit përpara ndonjë gjykate”, deklaron Blushi.
Ja çfarë ndodhi në komision
Por ndryshe nga sa pretendon Presidenca, gazeta ka mësuar detaje nga kjo mbledhje. Secila nga palët kanë folur para komisionit nga tetë minuta, duke bërë një panoramë të qartë dhe ka mbrojtur pretendimet e tyre. Sipas informacioneve, mësohet se deputeti Balla në dëshminë e tij ka informuar shkurtimisht anëtarët e Venecias, duke i vënë në dijeni se vendimi i Metës për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit rriti krimet zgjedhore dhe sipas tij, ishte një shkelje e pastër e Kushtetutës. Po ashtu, gjatë fjalës së tij të shkurtër, mësohet se Balla ka folur para komisionit edhe për pretendimin e kreut të shtetit se do të digjej Parlamenti gjatë protestës së opozitës, për të cilin është shprehur se ishte thjesht një alibi e Metës. Madje, për të forcuar argumentin se ky informacion përbënte rrezik, mësohet se Balla ka ngritur pyetjen se nëse situatat do të ishte kaq emergjente përse Presidenti nuk mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe përse nuk informoi institucionet ligj-zbatuese se situata ishte e rëndë. Pra, sipas asaj që thanë burimet, mësohet se kreu i grupit të PS ka kërkuar nga anëtarët e Komisionit të Venecias që t’i qëndrojnë besnikë raportit paraprak, i cili nxjerr zbuluar Metën dhe e akuzon se ka tejkaluar kompetencat me anulimin e 30 qershorit. Në të njëjtën kohë, burimet theksuan se anëtarët ia kanë bërë të qartë Ballës se ata nuk ndikohen nga deklarata politike dhe se puna e tyre është që të jenë sa më objektivë, duke marrë në konsideratë çdo provë. Në këtë kontekst, mësohet se anëtarët kanë informuar Ballën për qëndrimin e tyre, duke pohuar se Meta s’ka kompetencë për të anuluar zgjedhjet dhe se i privoi qytetarët, madje i ndaloi që të votonin. Këto mendime për ta ishin të panegociueshme.
Ornela Çelpica