Ambasadori rus, Aleksandër Karpushin foli për atë që quhet ndikimi rus në Ballkan dhe reagimin e politikanëve shqiptarë, siç ishte rasti i Presidentit Ilir Meta, i cili ka folur “për ndikimet shpesh toksike për fat të keq të Rusisë në rajonin tonë…”.
Sipas Karpushinit, Rusia ka qenë e pranishme në Ballkan prej shekujsh dhe qytetarët e rajonit nuk e shohin si vend armik.
“Kur dëgjojmë nga zyrtarët shqiptarë për ndikimin gjoja “toksik” të Rusisë në rajon, mua më duket se ata kanë harruar ose e kanë detyruar veten të harrojnë atë që ka ndodhur këtu pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore”, u shpreh Karpushin në studion e “A2” CNN.
“Rusia, e shkatërruar dhe e stërmunduar nga lufta, pasi kishte humbur 27 milionë jetë njerëzish, iu përgjigj thirrjes së popullit shqiptar për ndihmë dhe në fakt e shpëtoi Shqipërinë nga katastrofa humanitare, duke dhënë një kontribut kolosal në zhvillimin e ekonomisë, shkencës, kulturës, ushtrisë, si edhe në shkollimin e përfaqësuesve më të mirë të elitës, me të cilët shqiptarët edhe sot krenohen me të drejtë. Meqë ra fjala, sot frytet e ndihmës sonë i gëzon jo vetëm vetë Shqipëria, por edhe NATO-ja, e kam fjalën për infrastrukturën ushtarake të krijuar në vendin tuaj”.