Pas Vikena Kamicës, edhe Landi i West Side Family i është bashkuar Erion Veliajt në fushatën për zgjedhjet e 25 prillit. Me Landin në krah, Veliaj bëri edhe një krahasim mes Partisë Socialiste, si forca që mbështet gjithmonë të rinjtë “e bërë vetë”, dhe PD-së, e cila vazhdon të mbahet peng nga njerëz që duan t’i shpëtojnë burgut.
“Landi nuk është çun VIP-ash, s’e ka bërë mami dhe babi. Është bërë vetë. Tani krahasoni Landin me Zenin! Landi nuk ka hedhur njeri në erë, për Landin nuk është vrarë njeri në Bulevard, shtëllunga bombash nëpër fshatra nuk janë formuar për Landin. Ndaj pyes:
Cili është modeli që do të bëhesh në jetë? Çuni i babit, që hedh njerëz në erë dhe ia hedh pa lagur, se e mbron babi 80 vjeç që vazhdon të kërruset, të zvarritet, që mban peng një komb të tërë që të shpëtojë çunin nga shpërthimet, vrasjet e krimet?
Apo do duam të bëhemi si Landi? PS nuk ka vrarë kurrë njerëz me plumba në mish, nuk ka hedhur kurrë njerëz në erë dhe nuk ka promovuar kurrë modelin e çunit të babit, që babi të mbajë peng një vend të tërë, që çuni të shpëtojë nga burgu! Keni ardhur në një parti, ku ne kemi idhuj dhe duartrokasim ata që janë bërë vetë, që kanë talent, që përveshin mëngët dhe kanë ecur përpara vetë”, tha Veliaj.
Ai deklaroi se lipset një mandat i fortë për Edi Ramën dhe për PS në krye të punëve të vendit. “Kush është socialist i vjetër e mban mend çfarë i ndodhte bashkisë kur qeveria nuk e ndihmoi. E mbani mend fadromën tek “Zogu i ZI”?
Imazhin e asaj fadrome që erdhi për të shkatërruar çdo punë të mirë në këtë qytet? Ndaj, siç kam vendosur unë t’i jap një dorë Edi Ramës, dua të shoh duart tuaja. Puna nuk ka mbaruar, misioni nuk ka mbaruar, e ardhmja jonë nuk është akoma gati, kemi plot punë për të bërë, ndaj dua t’ju shoh këto 206 ditë të gjithëve në këmbë për Partinë Socialiste të Shqipërisë, për fitoren tonë”, deklaroi kryebashkiaku i Tiranës.
Veliaj ftesë edhe për demokratët: “Ja pse duhet të vini në familjen tonë socialiste; PS meriton mandatin e tretë”
Nga Njësia 1, Kryebashkiaku dhe drejtuesi politik i PS në Tiranë, Erion Veliaj nisi sot turin e takimeve me Asambletë socialiste të kryeqytetit. Veliaj kërkoi mbështetjen për një tjetër mandat të tretë qeverisës për PS-në, duke theksuar se vetëm PS i ka përveshur mëngët për të transformuar Tiranën dhe Shqipërinë.
Ai nënvizoi se falë Partisë Socialiste dhe bashkëpunimit të kryeministrit me kryetarin e Bashkisë, jeta në Tiranë është më e mirë. “Kam takuar sot banorë të Njësisë 1, të cilët më thanë se para 5 vitesh, kur e bleva, shtëpia ime këtu te “Ali Demi” vlente 800 Euro metri katror.
Sot, pas 5 vitesh, vlen 1200 Euro metri katror, falë mënyrës si pastrohet, rruga është më e mirë dhe ngado rrotullohemi shohim ndryshim. Kjo është arsyeja pse merremi me politikë, ja pse duam që Edi Rama dhe Partia Socialiste të vazhdojnë mëngëpërveshur për t’i çuar më larg këto punë. Kemi nevojë edhe për ju”, tha Veliaj.
Ai shtoi se Partisë Socialiste po i bashkohen çdo ditë e më shumë njerëz, që besojnë te forca e ndryshimit. “Kemi nevojë për edhe një. Edhe një zonjë, edhe një zonjushë, edhe një vajzë, edhe një zonjushë, që i bashkohet kauzës sonë. Edhe nëse nuk mendojnë si ne, a shkojnë në të njëjtat çerdhe që sot janë më të mira?
A shkojnë në të njëjtat kopshte, shkolla që sot janë më të mira. A ecin në të njëjtat rrugë? Nëse falë Partisë Socialiste dhe bashkëpunimit të kryeministrit me kryetarin e Bashkisë, jeta është më e mirë edhe për to, duhet të vijnë në familjen tonë”, deklaroi Veliaj.