Lajmi i dy ditëve më parë se Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg dp të nisë gjykimin e vendimit të Bashkisë së Tiranës për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar në 17 maj 2020, ka shkaktuar debate në opionin publik.
Gazetarja Rezearta Caushaj akuzoi avokaten dhe kryetaren e Komisionit të Apelimit në Grupin e Rithemelimit të PD, Adriana Kalaja se ka mashtruar publikisht me lajmin e sipërpërmendur, duke publikuar shkresën e GJEDNJ se çështja do gjykohet nga ky institucion. Në një status të gjatë në rrjetet sociale, Caushaj përgënjeshtroi lajmin duke komentuar se në të vërtetë, Gjykata e Strasburgut thjesht ka protokolluar kërkesën e “Foltores”, por nuk konfirmoi se do ta marrë në shqyrtim apo gjykim.
Caushaj akuzoi Kalanë se po uzurpon kauzën e prishjes së Teatrit Kombëtar, favorizuar dhe mbështetja politike që ka aktualisht. Gazetarja nuk la pa akuzuar dhe ish-presidentin Ilir Meta dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit, që nuk e ndoqën penalisht çështjen kundër kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për shembjen kontraverse të godinës së TK.
Caushaj: Kërkesa e Kalasë është protokolluar, GJEDNJ s’ka hapur akoma zarfin
Në statusin e saj në Facebook, gazetarja e “Open Data Albania”, Rezearta Caushaj e intepretoi krejtësisht ndryshe pretendimin e avokates Kalaja se GJEDNJ po nis gjykimin për prishjen e ndërtesës së Teatrit Kombëtar. Bazuar në letrën e publikuar në rrjetet sociale të kryetares së Komisionit të Apelimit në “Foltore”, Caushaj shprehet se në fakt GJEDNJ thjesht ka regjistruar kërkesën për gjykimin e çështjes, por nuk ka vendosur akoma nëse do ta shqyrtojë për gjykim apo jo. “Gjasat janë që nëse aderon në PD, je entuziazmuar shumë.
Ja që, nuk është e vërtetë! Një korrespondencë, detajet ligjore të së cilës janë mbajtur të fshehta nga Adriana Kalaja e PD-ja që e sponsorizon, është dërguar në Strasburg. Sekretaria e GJEDNJ ka konfirmuar që kjo korrespondencë është marrë dhe protokolluar. Kaq! Pra, GJEDNJ nuk e ka hapur akoma atë zarfin, jo të ketë pranuar ta shqyrtojë”, komentoi fillimisht Caushaj.
Gazetarja sulmon Metën, Gjykatën Kushtetuese dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit
Më tej, Caushaj akuzon Gjykatën Kushtetuese, kreun aktual të Partisë së Lirisë, Ilir Metën (ish-president) dhe KLSH se nuk kanë vepruar në mbrojtje të godinës së Teatrit Kombëtar. Konkretisht, kalimin e ankimimit ndaj vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës për shembjen e TK, në Gjykatën Administrative dhe mosmbështetjen e padisë së shoqatës “Impetus” dhe medias “ResPublica” ndaj kryebashkiakut Veliaj, i konsideroi si veprime skandaloze dhe në dëm të mbrojtjes së kauzës së Teatrit Kombëtar.
“Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj hapi rrugë që vendimi tinëzar i Këshillit Bashkiak të ankimohej në Gjykatën Administrative, që i takonte juridiksioni. Kur ‘ResPublica’, së bashku me shoqatën ‘Impetus’ kërkuan mbështetje nga Presidenti dhe KLSH-ja për t’u legjitimuar si palë në proces, Meta dhe KLSH e injoruan. Jo vetëm nuk mbështetën këtë padi, por as vetë nuk e çuan për padi. Kaq interes kishin për kauzën! E molën dhe e hodhën tej! Këtë e shkruaj sepse të gjitha ‘paditë’ e ngritura nga Kalaja&CO në SPAK për çështjen e Teatrit janë juridikisht nul”, denoncon gazetarja Caushaj.
Përgjigjia e Strasburgut për Kalanë: Çështja e TK do gjykohet në bazë të dokumenteve që do sillni
Në përgjigjen e dhënë nga Sekretaria e GJEDNJ për çështjen e Teatrit Kombëtar, e publikuar në rrjetet sociale nga Adriana Kalaja, shkruhet se është marrë korrespondenca me avokaten në fjalë. Aty shkruhet se çështja do të gjykohet në bazë të dokumenteve që vetë Kalaja do të paraqese, pra nuk ka një konfirmim të prerë se çështja do të kalojë në gjykim. “Sekretaria ka marrë korrespondencën tuaj. Kësaj dosjeje i është dhënë numri i mësipërm, të cilit duhet t’i referoheni gjatë gjithë korrespondencës tuaj për këtë çështje.
Rasti juaj do të trajtohet nga Gjykata në bazë të dokumenteve dhe të dhënave të paraqitura nga ana juaj. Bashkëngjitur do të gjeni një paketë me etiketa, të cilat duhet të ngjiten në cepin e sipërm, djathtas, vetëm në faqen e parë të letrës ose dokumentit që do të dërgoni në Gjykatë për këtë çështje. Për t’u siguruar për marrjen e letrave tuaja nga Gjykata, është e këshillueshme që t’i dërgoni ato me postë rekomande të parapaguar dhe të shoqëruar me fletë dorëzimi”, shkruhet në një fragment të përgjigjes së Sekretarisë së GJEDNJ për Adriana Kalanë. /Dario Velaj