Një shfaqje të turpshme që ka kaluar çdo normë etike përmes fjalorit banal në seancën plenare të parlamentit, e ka konsideruar , Ministrja e Shtetit per Marrëdheniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar këtë të enjte në seancën plenare të Kuvendit ku deputetët përdorën një fjalor ofendues nga foltorja e Kuvendit.
Ishte kreu i Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili, ai i cili nisi “shpalosjen” e një fjalori vulgar nga foltorja e Parlamentit , për të vazhduar më politikanë e tjerë , ish-kryeministrin Berisha ndaj Kryeministrit Edi Rama etj. Përmes një reagimi në rrjetin social Spiropali i kërkon ndjesë të gjithë qytetarëve shqiptar për sjelljen e politikanëve të cilët sot shkelën çdo normë etike me fjalorin e tyre banal.
“Shëmti, fyerje krahinore, familjare dhe seksiste, shfaqje vulgu e opozitës politike që kërkon të qeverisë Shqipërinë. I kërkojmë ndjesë qytetarëve të Shqipërisë dhe i sigurojmë se nuk do të biem kurrë në këtë nivel që thyen çdo kod nderi të shqiptarit #egjithëvëmendjateknjerëzit, shkruan Spiropali.