Katër ditë përpara se Franca të votojë për presidentin e saj të ardhshëm, dy kandidatët Emmanuel Macron dhe Marine Le Pen u përballën në debatin televiziv.
Dy kandidatët u përballën me njëri-tjetrin për koston e jetesës, Rusinë, ndryshimet klimatike dhe emigracionin, raporton BBC.
Çmimet e energjisë kanë dominuar fushatën dhe kanë qenë në qendër të debatit, të transmetuar në dy rrjetet më të mëdha televizive si dhe kanalet e mëdha të lajmeve.
Emmanuel Macron u pa gjerësisht si fituesi i debatit të vitit 2017, kur rivali i tij u shfaq i tronditur dhe i papërgatitur. Por këtë herë, Marine Le Pen ishte gati që në fillim dhe shumë më e kompozuar.
Gjatë gjithë debatit, ishte Macron ai që shkoi në ofensivë, duke u shfaqur më shumë si një sfidues se sa një president, duke ndërprerë vazhdimisht rivalen.
Ndërsa filloi debati, zonja Le Pen tha se 70% e popullit francez besonin se standardi i tyre i jetesës kishte rënë gjatë pesë viteve të fundit dhe ajo do të ishte presidentja e paqes civile dhe vëllazërisë kombëtare.
Macron tha se Franca kishte njohur krizë të paprecedentë, me Covid të ndjekur nga lufta në Evropë. Ai e kishte drejtuar Francën përmes atyre sfidave dhe synonte ta bënte Francën një vend më të fortë, tha ai. Pas një fillimi relativisht të qetë dhe civil, debati u kthye shpejt në luftë, shkruan BBC.