Partia Socialiste e ka seriozisht që të padisë penalisht të gjithë ata që kanë marrë të dhëna nga aplikacioni ‘Aktiv1sti’ dhe i kanë përdorur, disa për të targetuar persona të veçantë. Sekretari Digjital i PS, deputeti Etjen Xhafaj, i ftuar dje në një studio televizive theksoi dje se të dhënat mbrohen me ligj dhe ata që e kanë shkelur ligjin do të përgjigjen.
“Personat përgjegjës do të çohen para ligjit. Ne jemi duke u marrë shumë seriozisht për denoncimin penal. Aplikacioni dhe të dhënat janë të përdoruesve. Përdorimi i të dhënave është i ndaluar me ligj. Të dhënat janë publike por nuk mund të merren dhe të ekspozohen njerëzit edhe nga bindjet. Së pari një herë u krijua një listë e falsifikuar, me mbi 90 mijë emra, që ishte edhe Ilir Meta.
Së dyti filluan të targetoheshin njerëz. Ekspozoheshin njerëzit e aplikacionit. Unë thashë që aty mund të ketë edhe kundërshtarë”, deklaroi ai. Duke shpjeguar pse u krijua aplikacioni Sekretari Digjital socialist theksoi se qëllimi është vetëm komunikimi i mesazhit politik të PS dhe promovimi i atyre që punojnë. “Ne kemi pasur gjithmonë, në çdo zgjedhje, një metodë të re për komunikim me qytetarët.
Këtë herë ishte shumë e rëndësishme duke pasur parasysh që ne e kemi thënë se komunikimi me qytetarët është vendosur prioritetet. Ky aplikacion është komunikimi dhe kemi përqendruar burimet. Një mënyrë e lehtë për t’u naviguar dhe për t’u kontrolluar komunikimi dhe qëndrimi politik e mesazhet e Partisë Socialiste. Aplikacioni është akuzuar për gjithfarë gjërash. Përdorimi gjoja i administratës apo që aplikacioni monitoron Facebook-un është një histori e vjetër. Gjithnjë e kanë bërë.
Çfarë historie është kjo? Është prodhuar një histori false nga fillimi deri në fund. Një person që donte të bëhej i famshëm hodhi një gur dhe fatkeqësisht edhe opozita e mori. Asnjë e dhënë sensitive nuk kërkohet. Aplikacioni është i hapur për të gjithë, edhe për kundërshtarë”, deklaroi ai. Ndërkohë zoti Xhafaj theksoi se opozita me akuzat synon të krijojë “stuhi në gotë uji” dhe të bëjnë “gjithmonë një revolucion”.