Reforma në drejtësi është bërë objekt debati në Komisionin Europian. Partitë Popullore Europiane janë skeptike për ecurinë e reformës në drejtësi dhe për këtë arsye 2 përfaqësuesit e saj David Lega dhe Michael Gahler i kanë kërkuar sqarime komisionerit Oliver Varhelyi lidhur me ecurinë e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.
Gahler dhe Lega i drejtuan 2 pyetje komisionerit ku së pari donin të dinin a është Komisioni Europian i kënaqur me gjendjen aktuale të gjyqësorit? Ndërsa së dyti a duhet apo nuk duhet të kërkojë Komisioni Europian që gjykatat të jenë plotësisht funksionale përpara se të gjykojë Këshilli a plotësohet kushti për gjyqësorin?
Komisioneri Varhelyi iu përgjigj pyetjeve duke deklaruar se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet që Këshilli ka vendosur për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare. Ndërsa lidhur me reformën në drejtësi ai tha se kushti për sigurimi e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, është plotësuar nga Shqipëria.
“Në vlerësimin e Komisionit, Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet e vendosura nga Këshilli në Konkluzionet e tij të 25 marsit 2020 për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare të negociatave të pranimit. Për sa i përket reformës në drejtësi, Komisioni rikujton që kushti i KPGJ-së është të sigurojë zbatimin e vazhdueshëm të reformës gjyqësore, duke përfshirë sigurimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke marrë parasysh ekspertizën përkatëse ndërkombëtare, duke përfshirë mendimet e zbatueshme të Komisionit të Venecias. Shqipëria ka siguruar zbatimin e vazhdueshëm të reformës gjyqësore dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke përmbushur kështu kushtin përkatës të GNP-së më sipër”, deklaroi Varhelyi.
Varhelyi komenton ecurinë e institucioneve të drejtësisë
Ai po ashtu foli rreth ecurisë së Gjykatës Kushtetuese, për të cilën u shpreh se gëzon funksionalitet që prej emërimit të tre anëtarëve si dhe ka miratuar 18 vendime deri në mars të vitit 2021. Ndërsa për ecurinë e Gjykatës së Lartë, Varhelyi tha se arriti në shtatë gjyqtarë në detyrë. Megjithatë sipas tij, Komisioni do të vazhdojë monitorimin për të gjitha fushat.
“Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë është funksionale që kur tre anëtarë u emëruan në fund të dhjetorit 2020 dhe ka miratuar 18 vendime deri në mars 2021. Gjykata e Lartë e Shqipërisë është funksionale që nga marsi i vitit 2020. Ajo ka dhënë 2693 vendime deri në mars 2021 në çështjet administrative, civile dhe penale. Në mars 2021, me promovimin e katër gjyqtarëve të rinj, Gjykata e Lartë arriti në shtatë gjyqtarë në detyrë. Komisioni do të monitorojë pajtueshmërinë e vazhdueshme në të gjitha fushat”, tha ai.