Raporti i Këshillit Europian ka sjellë dje debate në sallën e Parlamentit. Deputetët e mazhorancës e kanë cilësuar si sukses të tyre, por ndërkohë nuk kanë munguar dhe sulmet nga deputetët e opozitës. Deputetja Rudina Hajdari akuzoi liderët politik nga Berisha, te Rama dhe Basha, ku sipas saj nuk ua kanë bërë të qartë se çfarë do të thotë ky proces për vendin, por merren me punët e tyre personale politike.
Nga foltorja e Kuvendit ajo u shpreh se qeveria po bën regres dhe jo progres për integrimin e vendit në BE. “Sot kemi vetëm një njeri se është i “i vetmi më i miri i të mirëve”, po përpiqet të bind se vetëm ky po punon. Një njeri që varfëron të varfërit. Qeveria e tij është në një regres, integrimi nuk vjen nga të pa integruarit. Asnjë nga liderët tonë nuk e bindi dot BE që do jenë ato që do bëjnë integrimin.
BE ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm për BP, por pranojë se BE na ka ndihmuar shumë, por ndihma më e vërtetë duhet të vijë nga ne. Ne nuk dimë se ç’do të thotë integrimi për Shqipëri, ku thonë se rroga është më e larta se në Gjermani, kur shpërndanë karta si letra nderi si njëherë e një kohë, kur nuk bëjnë asnjë ditë punë, por vetëm letra dashuri, apo ata që protestojnë në një ditë pushimi ku ai është vetë pushim. Ka ardhur koha që të mos bëjmë më gjoja.
Është detyra jonë patriotike për të marrë vendimin pozitiv të BE, duhet të fitojmë”, tha Hajdari. Po ashtu, deputetja ka akuzuar kryeministrin se deklaratat e tij për ndërtimin e rrugëve janë sipas saj një propagandë e dalë boje. Hajdari u shpreh se e vetmja gjë që ka bërë qeveria nuk është ndërtimi i rrugëve, por vendosja e traut në çdo rrugë. “Ju flisni për rrugë por nuk keni bërë asnjë rrugë të re. Keni vënë traun, dhe kërkoni të vini akoma më shumë tra. Keni vënë traun në rrugën Tiranë-Durrës, në rrugën e Kombit.
Ju flisni për integrimin, por e dini që ka fshatra që duan ujë, bukë, drita, duan infrastrukturë. Këto gjëra elementare akoma mungojnë në Shqipëri. Ç’kusur kam unë të merrem me kusuret e kundërshtimeve, e çdo gjëje që ka ndodhur në këtë kuvend, ç’kusur kam të merrem me opozitën që thotë se jam palë me ju, pse unë sot mund të mos kem bindjet e mia në këtë vend, të mos merremi me fantazmat e së shkuarës, unë kam bindjet e mia dhe do të qëndrojë në këtë vend bashkë me këtë grup se ne luftojmë për një elitë politike. Nëse jeni për retorikë bëjeni siç duhet por jo me propaganda të dalë boje”, tha ajo.
Murrizi paralajmëron ndëshkim
Në sallën e Parlamentit një tjetër çështje e diskutuar ishte dhe reforma në drejtësi. Nën kryetari i Kuvendit Myslim Murrizi ka paralajmëruar ndëshkimin e dy sheikëve në vend. Paralajmërimi i tij ishte drejt për drejt për presidentin Ilir Meta dhe ish kryeministrin Sali Berisha, të cilët kanë në “Gjirin e Lalzit” komplekse luksoze.
Murrizi në fjalën e tij në Kuvend u shpreh se shqiptarët do ja shohin hajrin kur drejtësia të fillojë të funksionojë si në vendet e tjera europiane, që kush vjedh të shkoj para drejtësisë. “Fjala më e sinqertë e Ramës është se në këtë vend asnjë punë nuk është bërë pa u sulmuar nga të tjerët. Ajo pjesë që kërkon sot të jetë në Europë është ajo pjesa që e ka kërkuar me ngulm. Tenderët i kanë ata që rrinë këtu.
Me opozitën që shani sot e keni shndërruar opozitën në manekin të atij që drejton qeverinë. Së bashku bëtë që qytetarët të mos dinë kë të votojnë. Ndaj u zgjodh Arba në Suedi se me variantin tuaj nuk do zgjidhej. Më mirë thotë Balla që jemi pa gjykatë kushtuese se ishte shejtani brenda. Këta shejtanë 25 emra janë. Nga kjo sallë kanë dalë, nga 97 deri në fund. Kur u bënë dreqër këta.
Ata dreqër iu kanë shërbyer ju si dreqër nga 2001. Ata iu kanë ruajtur të mos shkoni atje ku e keni vendin. Gjiri i Lalëzit dhe rezidenca pas Teg-ut janë dy burgje model që shqiptarët do ja shohin hajrin kur drejtësia të fillojë të funksionojë që Europa të bindet se kush vjedh në këtë vend e ka vend pas hekurave”, tha Murrizi.
Elisjeda Kiko