Zërat se kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha po shkojnë drejt një pakti të ri duket sepo trembin opozitën e re parlamentare, e cila ka shpërthyer në akuza në adresë të mazhorancës qeverisëse. Ka qenë deputeti i opozitës së re, Ralf Gjoni, ai i cili hapi festivalin e debateve, teksa nga foltorja e Kuvendit akuzoi kryeministri Rama dhe kryedemokratin Basha se po flirtojnë për të bërë një pakt të fshehtë, por garantoi qytetarët se opozita nuk do ta lejojë një pazar në kurriz të qytetarëve.
“E kam fjalën për tërmetin që lidhet me reformën në drejtësi që do të finalizohet me reformën zgjedhore. Shumë qytetarë më thoshin se nuk ishin kaq të shqetësuar për tërmetin që ra, por për ndonjë marrëveshje të mundshme që mund të bëjnë këta të dy. Të gjithë më pyesin: Hë more Ralfi do të bëjnë marrëveshje? E kanë hallin nëse këta të dy do të bëjnë marrëveshje. Këta të dy po flirtojnë për momentin. I shqetëson fati i ndonjë pazari të pistë. Unë u thashë mos keni merak se për sa kohë do të jemi ne nuk do të ketë marrëveshje”, deklaroi ai. Ndërkohë, deputeti Gjoni sfidoi mazhorancën qeverisëse, duke theksuar se opozita e re nuk do të lejojë një pazar Rama-Basha, sa i takon reformës zgjedhore dhe jo vetëm. Sipas tij, opozita e re do të përgatisë në ditët në vijim draftin për reformën zgjedhore. “Çdo zgjidhje për sa i përket reformës zgjedhore do të kalojë nga komisioni i reformës me votat tona ose jo. Nuk do të ketë asnjë marrëveshje, pazar, pa filluar ndëshkimi i krimit elektoral. Nuk do të ketë asnjë marrëveshje fliheni mendjen, rrini të qetë. Ata duan, por nuk kanë për t’i lënë. Shqipëria është në rrugë të sigurt. Reforma zgjedhore nuk përfshin vetëm rekomandimet e OSBE-së, por edhe probleme të tjera. Blloku opozitar do të vijojë në vijim përgatitjen e drafteve në funksion të ndryshimit të sistemit zgjedhor”, nënvizoi Gjoni.
Por ndryshe nga deputeti Ralf Gjoni, i cili ka shigjetuar mazhorancën dhe opozitën joparlamentare, deputeti Lefter Koka, i përjashtuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, pasi nuk prangoi që të digjte mandatin në shkurt të këtij viti, kur opozita doli në rrugë, ka kritikuar në seancën e djeshme plenare sjelljen e PD-së dhe LSI-së. Nga foltorja e Kuvendit, zoti Koka akuzoi opozitën joparlamentare se po shantazhon qeverinë dhe se politikat e ndjekura prej saj synojnë të dëmtojnë procesin integrues të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Sipas tij, pretendimet e PD-LSI për vjedhje votash janë alibi. “Në fakt doja të ndaja thjeshtë dhe vetëm një shqetësim, ky sot është një fenomen global, migracioni, emigracioni drejt vendeve më të zhvilluara, përqendrimi i kapitalit në pak njerëz dhe kalimi i aseteve shtetërore te privati. Në shumë vende të Evropës bashkëpunimi pozitë-opozitës është i vijueshëm për të vendosur disa ekuilibra të vështirë, tek ne ndodh ndryshe. Kemi parë opozitën jashtë Parlamentit, ku shpesh kërkon të paragjykojë gjithçka, të mbajë në presion konstant qeverinë, nuk besoj se i shërben pikave që diskutuam. Largon vëmendjen te ky realitet i pranishëm edhe në Shqipëri. Kemi parë Babalen apo denoncimet për zgjedhjet e 2017, po ju garantoj një gjë, që e ka shumë të pamundur ai punonjësi i policisë, që t’i heqë PD-së 200 mijë vota. Sjellja e liderëve të PD-së në qershor përcolli një perceptim te elektorati i djathtë”, deklaroi ai. Megjithatë, fjala e tij nuk u dëgjua e plotë deri në fund, pasi kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ashtu sikur veproi thuajse më të gjithë deputetët i ndërpreu fjalën, pasi kaloi kohën e përcaktuar. Ndërkohë që, deputeti Lefter Koka i kërkoi Gramoz Ruçit të mos i hiqte fjalën, pasi ishte një deputet pa parti.
Rigels Seliman