Ish-trajneri i përfaqësueses shqiptare, Xhani De Biazi, nuk kursehet kur bëhet fjalë për të marrë në mbrojtje futbollistët që ka drejtuar në radhët e kuqezinjve. Tekniku lavdëron gjithmonë publikisht futbollistët kuqezinj dhe sot e kishte radhën Thomas Strakosha, i cili është përballur me kritika së fundmi për shkak të disa gabimeve në ndeshjet e fundit.
Sipas De Biazit, kritikat ndaj portierit të përfaqësueses shqiptare pas paraqitjeve të tij me Lacion, janë të tepruara, pasi ai mbetet një talent i cili është përmirësuar ndjeshëm dhe ka mundësi edhe më të mëdha përmirësimi.
“Unë mendoj se Thomas në sezonin e kaluar ka treguar se mund të bëjë gjëra të mëdha, se është një portier i madh por është ende i ri”, tha De Biazi për “Radio Sei”. “Unë e kam parë të përmirësuar në lojën me këmbë, por gjithsesi duhet të luajë vazhdimisht dhe të bëjë eksperiencë. Nuk më duket se ka portierë të tjerë të rinj që kanë bërë më mirë, mjafton të shohësh Donarumën”, ishte ironia e De Biazit duke iu referuar atij që shumëkush në Itali e quan portierin e të ardhmes./vipsport