Ish-anëtari i Autoritetit të Informimit për Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, njëherësh përfaqësuesi i klasës së të Përndjekurve Politikë dhe poeti i njohur, Daut Gumeni ka komentuar situatën politike në vend. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Gumeni rrëfen detaje nga dosja e “zezë” e ’97 që mban emrin e Sali Berishës. Ai po ashtu, tregon premtimin që bëri në atë kohë “arkitekti” i zgjedhjeve të grabitura siç e quan ai Sali Berishën, flet për rolin e SHIK asokohe dhe zbulon pse SPAK po e lejon ish-kryeministrin të bëjë fushatë të përnatshme nga “arresti i shtëpisë”.
-Zoti Gumeni, si e shihni ngritjen e komisionit anti-korrupsion te PS? Ka zëra se synohet te kontrollohet SPAK dhe drejtësia…
Ngritja e një Komisioni kundër korrupsionit nuk mendoj se mund të prekë strukturat kushtetuese të Drejtësisë në reformim. Sepse për të shtrembëruar apo mercenarizuar nga politika edhe institucionet e reja të drejtësisë, do të duhen më tepër vota nga sa ka shumica aktuale. Ndaj mendoj se, po të mos përdoret vetëm për fuqizimin e propagandës pa bukë, mbase edhe ky komision mund të sjellë edhe ndonjë lehtësim të mëtejshëm në ecjen pa shumë pengesa të reformimit të mirëfilltë të drejtësisë, aq rëndë të deformuar nga pushteti në këto tri dekada tranzicioni të mundimshëm sa ta kthejë edhe atë shtyllë të shtetit, aq të nevojshme për një shoqëri normale, në një mercenare shpinëthyer të pandëshkueshmërisë së pushtetarëve komandues, për të mos thënë që drejtësia jonë aq e përulur këto tri dekada ndaj pushtetit politik e ndaj babëzisë për t’u pasuruar me çdo kusht ishte kthyer në një nga ato “levat” e dikurshme të Partisë së Punës. Me shpresën se çdo organizëm kuvendor, që synon vërtet t’i hapë udhën shtetformimit ka nevojë për ndihmesën e të gjithëve, sepse e ka tanimë të vështirë të prekë e ca më keq të zhbëjë organe të reja si SPAK-u apo BKH-ja, pa u trembur të gjithë deputetët tanë aq shumë sa të votojnë shtrembërimet kushtetuese si një parti e vetme, them se Komisioni kundër korrupsionit mbase lehtësohet nga propaganda dhe kryen dhe ndonjë punë të mbarë në një politikë dhe pse jo shoqëri të tërë, ku korrupsioni është kthyer në një mënyrë pasurimi të shpejtë.
-Këto ditë gazeta SOT ka rikujtuar dhunën e ushtruar nga Sali Berisha dhe pushteti ne maj te vitit 1996, ku përveçse u vodhën zgjedhjet u dhunua edhe opozita e kohës. Si e kujtoni ju atë kohë? Berisha ka qenë përgjegjës për masakrën zgjedhore të ’96 dhe që u pasua me ’97?
Atë kohë besoj se e kujtojnë të gjithë shqiptarët, si ata të pushtetit që ulërisnin tribunave se “Ne nuk e lëshojmë pushtetin pa gjak!”- kur atë palo pushtet e kishin marrë me çelësa në dorë – edhe ata që luanin opozitën dhe pastaj e harruan aq shpejt që u rrahën si gomari në duhan në Sheshin Skënderbej nga policia demokratikase. E kujtojnë besoj edhe brezat e rinj, sepse pas dështimit të rëndë që pësoi presidenti i kohës në referendumin kushtetues, apo më shqip në përpjekjen e tij aq ngulmuese për t’u shpallur mbret demokratikas, ai duket se u betua që të mos lejonte më zgjedhje normale sa herë që do t’i komandonte vetë. Dhe e mbajti atë zotim qysh në zgjedhjet e vitit 1996, kur kutitë u morën në krahë të SHIK-ut e të policisë dhe numërimi i votave doli ai i lashti i regjistrimeve të Partisë mëmë: 99% në favor të pushtetit. Ec e dëgjoje tani po deshe pa të ardhur zorrët në gojë, kur po ai arkitekt i zgjedhjeve të grabitura të majit 1996, betohet sot e gjithë ditën edhe nga papafingua e “arrestit shtëpiak” se na paska mbetur tërë jetën e vet politike ”një dashnor i përvëluar i zgjedhjeve të lira e të ndershme”(!) Pastaj ecë e merre vesh se pse edhe SPAK-u i drejtësisë në reformim nga aleatët tanë strategjikë e lejon të bëjë fushatë të përnatshme nga “arresti i shtëpisë” pronarin demokratikas të demokracisë shqiptare të krijuar me senet të Sulltanatit Stalinian të Partisë së Punës!
– Vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezi ka shfaqur ambicien për të pasuar të atin në krye të partisë. A është normale që partia të trashëgohet dhe sa të lehtë do e këtë ajo?
Ambicja e të bijës për t’u bërë trashëgimtare e copave të ndryshkura që kanë mbetur udhëve nga gjysma besnike e Partisë- mëmë, më duket se është një mëtim i natyrshëm, kur edhe kamerierin e vet kozmetik që u përpoq kot aq shumë pronari i përjetshëm i PD-së për ta kthyer në udhëheqës pavarësisht se ai shkonte krenar nga humbja në humbje, me sa duket paskan vendosur ta dekorojnë dhe atë me një “non-grata” fringo të re për ta rreshtuar në çetën e duhës së të Paudhit. Sa për pjesën e dytë të pyetjes suaj, nuk mendoj se mund të kërkohet ndonjë gjë normale në një shfaqje anormale si ajo e pluralizmit tonë anormal, që na la trashëgim diktatura komuniste me kujdesin e madh për të mos u ndëshkuar kurrë krimet e veta.
-Sali Berisha vijon të qëndrojë në “arrest shtëpie”, ku madje në disa raste ka thyer edhe masën e sigurisë, pasi ka futur njerëz në shtëpi. Kush mendoni se do jetë fati i Sali Berishës me drejtësinë?
Sa për fatin e brigadierit më fanatik të PD-së, aq keq të shkërmoqur falë udhëheqjes së tij të ndriçuar nga vagëllimi i turbullt i dosjeve të Sigurimit të dikurshëm të Shtetit, nuk marr dot përsipër të hedh fall kur nuk kam asnjë njohuri në atë fushë okulte. Mund të them vetëm që, si fati i tij i mëtejshëm edhe fati i shqytarit të tij aq të detyruar për t’i qëndruar besnik deri në fund, them se do ta ketë në dorë drejtësia e reformuar pa hezitime nga ato që plevitosin edhe optimistin më të zjarrtë…
Intervistoi: Rigels Seliman