Komuniteti çam është i vendosur për të larguar Shpëtim Idrizin nga drejtimi i PDIU. Dy muaj më parë anëtarët e këtij komuniteti bashkë me ish-deputetë të PDIU nisën një organizim për të detyruar Idrizin të dorëhiqet. Ata organizuan takimin e parë në Vlorë me intelektualë dhe pjesëtarë të shoqatës “Çamëria”, ndërsa u pasua edhe nga të tjerë, ku më i fundit u zhvillua pak ditë më parë në Lushnje. E teksa po planifikojnë që takimi i radhës të jetë në Fier, ish-deputeti i PDIU, Dashamir Tahiri tregoi për gazetën “SOT” hapat që do të ndiqen deri në largimin e Shpëtim Idrizit. Sipas tij, si fillim po synohet të mblidhen sa më shumë mbështetës me bërthamën, ndërsa më pas do të zhvillohen takime më të mëdha, deri tek protestat. “Ky organizim që po bëjmë tani do ta ketë fundin tek protesta. Kemi filluar me organizime të vogla, me bërthamën, më pas do të kryejmë takime më të mëdha, do t’i mbledhim të gjithë dhe do të bëjmë protestë. Do t’i japim zgjidhje problemit që Idrizi e ka lënë varur. Çamët nuk varen nga Idrizi. Ata do ta gjejnë rrugën e zgjidhjes. Çamët nuk i mban dot peng Idrizi me një vulë. Paguan 300 mijë lekë të vjetra për një parti ta bësh te avokati”, tha Tahiri. Ai theksoi se Shpëtim Idrizi duhet të largohet menjëherë sepse nuk ka bërë asgjë për çështjen çame. E nëse një gjë e tillë nuk realizohet, Dashamir Tahiri paralajmëroi se do të dilet me një parti të re. “Ai nuk ka çfarë zgjidh më sepse ka dhjetë vjet që nuk zgjidhi asgjë. Tani kanë kaluar 10 vjet dhe nuk ka çam më që e dëgjon. Pse nuk bën ndonjë protestë ai për të mbrojtur çështjen çame? Unë do ta organizoj diçka të tillë. Nëse ai e quan se partinë e ka private dhe diçka personale, atëherë njerëzit do t’i drejtohen rikrijimit të PDI. Partia është e rikrijuar, por do të dalë PDI. Nëse ai e quan monopol, ne do të detyrohemi që të bëjmë këtë, pra në të kundërt do të dalë PDI. Vetë për strategji, Idrizi duhet ta jepte dorëheqjen sepse largimi i tij do të ringrinte partinë dhe shoqatën. Nëse ai do të ishte i ndërgjegjshëm ai duhet ta japë dorëheqjen sepse po bëhet pengesë për ringritjen e partisë dhe shoqatës. Ai është uzurpuesi i partisë. Të gjithë çamët kudo kërkojnë largimin e tij, zbythjen e Idrizit”, u shpreh ai.
Akuzat ndaj Idrizit
Dashamir Tahiri e akuzoi Shpëtim Idrizin se ka tradhtuar çështjen çame. Ai deklaroi se PDIU është katandisur shumë keq vetëm për shkak të Idrizit. Duke komentuar kalimin e Idrizit në opozitë, ish-deputeti i PDIU theksoi se ai nuk ka seriozitet sepse nga njëra anë bën marrëveshje me PD, por nga ana tjetër është në aleancë me PS në bashki. “Komuniteti kërkon
largimin e menjëhershëm të Idrizit sepse e katandisi partinë shumë poshtë. Partia dhe shoqata nuk po bëjnë një protestë. Ky është momenti kur partia dhe shoqata duhet të shkulte dynjanë, por Idrizi nuk po ndihet fare. Pastaj në çfarë opozite është Idrizi? Se ky është në pozitë, nuk është në opozitë. Kur je në opozitë, njeriu vendoset në opozitë, nuk mban as kryetarë bashkie, as këshilltarë që votojnë andej, ndërsa kryetari është këtej, deputetët po e po e kanë braktisur. Ja këto janë disa gjëra pikante që duhen parë. Edhe pse kaloi në opozitë, ai prapë nuk është serioz. Nuk e merr parti seriozisht atë. Njeriu që nuk ka seriozitet atje ku rri është Shpëtim Idrizi.
A ka seriozitet ky njeri dhe kjo aleancë? Ai nuk ka bërë asnjë deklaratë për çështjen çame”, deklaroi Dashamir Tahiri.
MimozaIbra