Dashamir Shehi ka komentuar zgjedhjen e Bajram Begajt si president i Republikës.
Shehi tha se procedura e njëanshme e zgjedhjes së tij, është e njëjta që ka ndodhur edhe me presidentë të tjerë, siç e parashikon Kushtetuta dhe nuk sheh ndonjë çudi në të.
Shehi tha se Begaj ka kohë të tregojë se nuk do të jetë presidenti i Edi Ramës që e zgjodhi, por i të gjithë shqiptarëve!
“Kjo ishte e drejta e socialistëve për ta zgjedhur dhe zgjodhën atë që deshën. Jemi brenda rregullave, Kushtetutës dhe brenda traditës tonë. Personi në vetëvete do ta tregojë rrugës. Deri sot është i zgjedhuri i Partisë Socialiste.
Nuk do ta paragjykoja. Ka kohë për të treguar që nuk është i Edi Ramës por i të gjithë shqiptarëve. E zgjodhi Rama sepse ja jep ligji dhe mundësia.
Opozita u ngatërrua me këmbët e veta, njeherë katër emra, njëherë tetë emra, etj. Në politikë shkruhet një dokument, bëhet transparencë.
Një grup i PD donte të godiste pjesën tjetër, grupi tjetër donte të fitonte simpati, etj. Opozita mund të prodhonte një ose dy personazhe, që mund të merrnin vota të caktuara dhe t’ju thoshte shqiptarëve ky është presidenti ynë moral.
Ne si opozitë nuk e bëmë këtë punë. Këtu është defekti i opozitës.
Pastaj, pretendimi se do të zgjidhet me konsensus dhe ai që ka pushtetin do t’ja lirojë palës tjetër, është përrallë e kotë”, tha Shehi.