Deputeti Dashamir Shehi gjykon se Sali Berisha nuk mund të rikthehet më në drejtim të Partisë Demokratike.
Duke folur në emisionin “Frontline” në “News 24” Shehi listoi anët pozitive dhe negative të lëvizjes së Berishës, ndërsa shtoi se një pjesë e politikanëve që marrin pjesë në takime mbrojnë të kaluarën dhe territoret e tyre.
“Unë nuk gjykoj se z. Berisha mund të drejtojë më. Mendimi im, ato te salla e Berishës mund të thonë ky nuk është mirë. Historia politike, një herë, dy herë…Po tre herë nuk të bën populli nuse. Besoj që edhe z. Berisha e ka në mendje këtë punë.
Nuk shikoj ndonjë ide të re. Një pjesë e njerëzve të PD me Berishën mbrojnë territoret e veta, investimin e vet politik, të kaluarën e vet politike. Ideja e fraksioneve është pozitive. Unë kam qenë nga të vjetrit që kam dashur të bëj korrent”, tha Dashamir Shehi.
“Për sa kohë që debati degjeneron “unë kam letër të Amerikës”, “ti je tradhtari i ri, unë babloku i vjetër”, unë gjykoj që pjesa më e mirë e opozitës nuk duhet të afrohen. Propozimin tim do vazhdoj ta bëj, për të mundur z. Rama dhe këtë oligarki duhet një hark politik më i madh se sa PD-ja”, shtoi deputeti.