Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin lidhur me transparencat fiskale për vitin 2021, ku flitet edhe për Shqipërinë. DASH deklaroi se Shqipëria i ka përmbushur kërkesat lidhur me transparencën fiskale për vitin 2021.
Në raport thuhet se transparenca fiskale përveçse jep informacion tek qytetarët sesi shpenzohen të ardhurat, po ashtu ndihmon që qeveritë të japin llogari. Sipas DASH, ky raport shërben për të identifikuar mangësitë dhe për të dhënë mbështetje ndaj ndryshimeve të mundshme. “Shqipëria përmbush kërkesat minimale në lidhje me transparencën fiskale për vitin 2021.
Transparenca fiskale informon qytetarët se si shpenzohen të ardhurat e qeverisë dhe të ardhurat nga taksat. Ky është një element kritik i menaxhimit efektiv të financave publike. Transparenca u siguron qytetarëve një dritare në buxhetet qeveritare dhe ndihmon që qeveritë të japin llogari.
Ndihmon në ndërtimin e besimit dhe qëndrueshmërisë së tregut. Raporti i Transparencës Fiskale i mandatuar nga Kongresi është një mjet për të identifikuar mangësitë dhe për të mbështetur ndryshimet e nevojshme”, thuhet në raportin e DASH.
Kujtojmë se Shqipërisë i është dhënë një rëndësi e madhe nga SHBA sa i përket reformës në drejtësi, por edhe zhvillimeve të tjera. Kujtojmë se presidenti i SHBA, Joe Biden miratoi një urdhër ekzekutiv i cili autorizon përdorimin e sanksioneve kundër personave të përfshirë në një sërë aktivitetesh destabilizuese në Ballkanin Perëndimor, përfshirë personat e angazhuar në përpjekje që kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal si dhe cenojnë proceset demokratike apo përfshihen në korrupsion në lidhje me rajonin ndër aktivitete të tjera.
Për këtë reagoi edhe ambasada e SHBA ku shprehej se urdhri i Biden është një referencë e qartë për Shqipërinë dhe është në përputhje me punën që SHBA dhe BE kanë bërë për të integruar rajonin.