Pamjet e një darke në Dubai, ku shfaqen disa zyrtarë të lartë të Qeverisë, kanë revoltuar rrjetin këto dy ditë.
Kjo, duke qenë se pamjet janë shfaqur ndërkohë që Shqipëria prej disa ditësh është përfshirë nga reshjet e shumta të shiut, të cilat kanë sjellë edhe përmbytje.
Kuptohet, pamjet shkaktojnë revoltë, po të shohësh interpretimet e opozitës dhe mediave pranë saj, sipas të cilave, ata hanë e pinë me lekët tona, ndërsa ne përmbytemi.
Nuk kanë rëndësi shpjegimet, se ata ishin ftuar nga princi arab dhe gjithë shpenzimet ishin të paguara, pasi pamjet dhe interpretimet në fakt e kanë bërë efektin e tyre.
Por, edhe pse opozita dhe mediet pranë saj kanë denoncuar këtë “skandal të madh”, ato janë të pandershme dhe kanë retushuar të pranishmit.
Përshembull në krye të tavolinës ishte biznesmeni më i madh në Shqipëri, pasi takimi në Dubai për çështje biznesi ka qenë.
Bëhet fjalë për ndërtimin e portit në Durrësi, ku arabët do të shpenzojnë 2 mld euro.
Por, në denoncimin e tyre, si Basha, Berisha, por dhe mediet pranë tyre, e kanë fshirë nga video biznesmenin në fjalë dhe natyrisht nuk kanë guxuar t’ia përmendin as emrin, dhe nuk kuptohet përse, pasi ai në fakt ishte për biznes aty dhe nuk ka bërë ndonjë gjë të keqe apo të paligjshme, që ta fshehin sikur ka bërë ndonjë krim.
Tani një opozitë që thotë se e keqja e këtij vendi janë oligarkët dhe pastaj ka frikë t’i përmendë ata me emër, dhe më keq akoma i retushon, nuk është fort e besueshme.
Pastaj sa për këtë revoltën se ku hëngrën, sa hëngrën e si hëngrën, kur ne po përmbytemi, është e tepërt, pasi gazetarët që kanë qenë të pranishëm aty e dinë kush e ka paguar darkën.
Ashtu siç në fakt, edhe shfaqja e ministrave në një darkë luksoze, pavarësisht se kush e paguante, ishte e tepërt, duke parë situatën në vend.
Sepse në një botë propagande dhe me rrjetet sociale ku çdo njeri ka akses, tashmë nuk ka më rëndësi përmbajtja, por forma, dhe njerëzve iu mbeten në mendje fotot e tyre duke ngrënë mish në një restorant luksoz, jo kush pagoi dhe fakti që ata ishin në Dubai për një project ambicioz, që do të krijojë mijëra vënde pune në Shqipëri.
(TemA)