Janë bërë publike të tjera pamje nga super grabitja e ndodhur të martën në orën 15:00 në Rinas. News 24 ka bërë publike disa foto ku duket furgoni bashkë me autorët e grabitjes duke u futur në rrethimin e aeroportit.
Nga pamjet duket një nga grabitësit që thyen çelësin e derës së zjarrfikëses dhe më pas furgoni futet brenda në pistën e aeroportit. Në më pak se një minutë, grabitësit kanë qenë brenda aeroportit ndërsa i janë afruar avionit, duke përshkruar një pjesë të pistës.
Grabitësit të armatosur i janë afruar avionit dhe kanë kryer grabitjen e 10 milionë eurove në pak minuta, ndërsa në avion ndodheshin 160 pasagjerë që prisnin të udhëtonin drejt Vjenës.
Pas marrjes së parave gabitësit janë ndjekuar nga forcat e FNSH-së të cilët kanë qëlluar në drejtim të autorëve. Nga përplasja me armë mbeti i vdekur një nga grabitësit, Admir Murataj, i cili mendohet që të jetë koka e grupit.