Nga Ardit Rada
Zyrtarisht, opozita joparlamentare e mbylli të dielën protestën e shtatë. Risia pas tre muajsh në rrugë, ishin tullumbacet që të rinjtë e PD-LSI mbanin në duar në nisje të saj. Madje disa yje që simbolizonin Bashkimin Evropian iu shtuan dekorit, së bashku me vuvuzelat dhe flamujt e vendeve të BE.
Panorama në dukje si një grup tifozësh që prisnin të hynin në stadium për Kampionatin Botëror, me gjasë është karremi që Lulzim Basha ka vendosur të përdorë. Dhe këtë herë jo për të gënjyer policinë për një krahëmarrje taktike, por për ndërkombëtarët.
Nga thirrjet ultimative të 13 Majit nga çdo ambasadë e rëndësishme në Tiranë, lidershipi opozitar u përpoq të japë idenë se nuk ka gisht në hedhjen e molotovëve. Dhe pikërisht atë ditë u provua e kundërta, kur nuk u hodh më molotov pas apelit të ashpër.
Këto tre javë Lulzim Basha i ka bërë sytë katër dhe veshët tetë. Ai ka pritur sinjale nga faktori ndërkombëtar si një shpërblim për ndaljen e akteve të d.hunës më 13 Maj. Por edhe në një moment kur CDU/CSU tregoi gatishmëri për ndërmjetësim dhe propozoi shtyrjen e zgjedhjeve, ishte po prap kjo parti simotër e PD-së që u tërhoq duke u shprehur se nuk mund të ndërhyjë në afatet kushtetuese të një vendi sovran.
Ky ka qenë edhe momenti që Lulzim Basha dhe të tjerët që i rrinë në krah kanë kuptuar, se këtë herë nuk do të ketë më arbitër si në vitin 2017.
Kush ka menduar se Basha po kërkon pazar me Ramën, ka gabuar rëndë. Lulzim Basha po kërkon pushtet dhe po e kërkon tani, me çfarëdolloj kostoje. Arsyet përse i duhet ky pushtet mund të nisin që nga karriera e tij e dështuar politike, deri te krijimi i Prokurorisë Speciale e të tjera plot.
Protesta e sotme tregoi se partia e Sali Berishës ëndërron një 21 Janar. Më herët disa shkopinj gome ndaj Sahit Dollapit desh e kthyen këtë të fundit në një Franc Ferdinand, për t’u përdor si shkak që të intensifikohen aktet e d.hunës. Por këtë herë, mjaft të shihen deklaratat e selisë blu për të kuptuar se çfarë kërkon që t’i ndodhë asaj.
Ish-deputeti i saj mjek, Bardh Spahia, e deklaroi lëndimin e një protestuesi si p.lagosje me p.lumb nga policia. Këtë skenar me p.lumba dhe g.jak, opozita e uron vetëm për një barazim historik të asaj që bënë Sali Berisha dhe Lulzim Basha 8 vite më parë.
Sepse me d.hunë e dinë që nuk mund ta largojnë dot Edi Ramën, sikurse e kuptoi edhe ky i fundit kur qeveriste Berisha.
Lulzim Basha do të vizitojë këtë javë Gjermaninë dhe atij i duhen doemos jo vetëm d.huna që ia faturon sovranit, por edhe p.lumbat e Bardh Spahisë.
I do për në Gjermani apo kudo që do të shëtisë, si tregues të vullnetit të qytetarëve. I do si kundërkëmbim me perëndimorët që së paku kanë hallin e investimeve dhe qytetarëve të tyre në Shqipëri.
Ndërsa ai vetë i ka larë duart duke dhënë përherë imazhin e drejtuesit, që veç bën thirrje të ndizen dritat e celularëve, t’i çojë njerëzit te Kuvendit, t’i mbledhë te PD-ja, t’u këndojë himnin dhe t’u thotë përherë: Ky ishte bashkimi më i madh popullor!
Ndaj nuk lodhet duke përsëritur refrenin pa u skuqur!