Kandidati i PD për deputet në Lezhë, Agron Gjekmarkaj shprehet se kryeministri Edi Rama nuk ka pasur asnjë sukses në qeverisje dhe se është i paditur dhe i palexuar.
Postimi i plotë
Edi Rama si një rraqe për t’u hedhur!
Edi Rama i humbet zgjedhjet për meritën e vet të plotë! Ai nuk ka pasur asnjë sukses në qeverisje, por shumë të tillë në modele! Mund t’i rreshtojmë disa. Rama është Kryeministri më i gjatë, më shallvarëgjëri, më ekzibicionisti në gojështhurje, më arroganti, peng i lacave dhe bracave, rrugëhapësi i tyre në parlament e pushtet lokal.
Gënjeshtar organik, bahçevan i banalitetit, kultivues i servilizmit, rrafshues i parasë publike, lërues i arave kanabike, dëbues i shqiptarëve në emigracion, i dyshimtë vetë si emigrant.
I papunë me shumë fjalë mbi punën, natës i thotë ditë e ditën e bën të padobishme, kapës i drejtësisë i kapur vetë nga të padrejtët, lubrifikant i korrupsionit vetë më mendime të thata, zaptues i hapësirës mediatike në të cilën ka plot kamerier lepe peqe. Mit për Elisen, Etilden, Olgerten, Damjanin, Arbenin, Nikon, Beqen e shumë të tjerë kulturogë e akademike si këta dhe bashkë me ta i urryeshëm për shumicën e shqiptarëve!
Edi Rama ka tetë vjet që detyroi popullin të ikë, tani do të kthehet Populli dhe do ikë Rama. Si saraj personal e ka bërë Shqipërinë së bashku me sejmenët e tij pa gjini!
Ai vetëm premton dhe në çdo rast kuturis një gënjeshtër!
Tani atë që se ka bërë në tetë vjet na premton se do e bëjë në katër! I janë zënë veshët, i janë lëbyrur sytë. Nuk kupton që Shqipëria kërkon dëbimin e tij, por jo, ai kacavirret me thonj, këlthet, ulëret, bërtet! E ka tejkaluar me kohë mërzinë, çdo cak të dëmit po ashtu, duke fituar përbuzjen e popullit të tij!
Edi Rama është kurajoz, është kurajoja e atij që ka frikë e atij që njeh vetveten në raport me bëmat e pushtetit dhe fatin e mëpasshëm dhe o burra kërkon e kërkon me kotelet e tij nga pas që mjaullijnë si shpirt i keq!
Edi Rama është i paditur, i palexuar në thelb i pashkollë me aftësi jo të vogla manipulimi!
Edi Rama nuk ka më program, nuk ka më skuadër, nuk ka me forcë, është thjeshtë një rraqe e historisë tashmë që po shkon pandalshëm në muzeum ose tek katër penxheretë!
Në Lezhë po nxjerrim lëndën e parë për t’ia bërë sa më të lehtë jetesën e re!